E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis pastrimi i predhave në detin e Vlorës

Stërvitja bëhet në bashkëpunim me Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Holandës, si dhe me pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Maqedonisë dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës.

“Qëllimi i kësaj stërvitjeje është trajnimi i personelit zhytës të Forcave tona Detare dhe forcave të vendeve të tjera pjesëmarrëse për të kryer operacione nënujore. Stërvitja do të përfundojë me një aksion pastrimi të mbetjeve të municioneve të rrezikshme nga Lufta I dhe II Botërore, kryesisht predha të artilerisë, si dhe municione të tjera ushtarake që kanë mbetur në ujërat e Detit Jon. Përdorimi i teknologjive dhe mjeteve moderne, kryesisht të palës holandeze na ka mundësuar që të shohim në thellësi gjëra të cilat nuk kemi pasur mundësi t’i shohim më parë. Kjo falë përdorimit të disa sensorëve modern që na kanë mundësuar gjetjen e municioneve të rrezikshme që flenë në ujërat tona prej shumë vitesh”, tha zv/shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Sandër Lleshi.

Stërvitja “Dukati 2012”, e cila do të përfundojë më datën 5 maj 2012, zhvillohet në kuadër të zbatimit të Planit të Bashkëpunimit Ushtarak me Holandën për vitin 2012 dhe ka si qëllim pastrimin e zonës bregdetare në Pashaliman, sidomos në thellësitë e mëdha, nga mbetjet e municioneve nënujore.

Stërvitja do të zhvillohet në dy faza. Faza e parë lidhet me kursin e trajnimit të zhytësve, ndërsa faza e dytë me procesin e pastrimit nga mbetjet e municioneve nënujore.  Kursi i trajnimit të zhytësve parashikon trajnimin për nivelin e dytë të 20 polumbarëve nga Forcat e Sigurisë së Kosovës, 3 polumbarëve nga Forcat e Armatosura të Maqedonisë, si dhe 7 polumbarë nga Forcat Detare të FA Shqiptare.

Ky kontingjent do të trajnohet nga 20 polumbarë holandezë të cilët kanë mbërritur në vendin tonë enkas për këtë stërvitje. Ndërsa procesi i pastrimit nga mbetjet e municioneve nënujore do të zhvillohet paralelisht me kursin e trajnimit të zhytësve. Gjatë këtij operacioni, në një hark kohor prej një muaji, do të bëhet pastrimi i Bazës së Pashalimanit nga mbetjet e municioneve nënujore nga polumbarët e Forcave Detare Shqiptare, holandeze dhe një grupi EOD të Brigadës Logjistike.

Gjatë vitit 2011 u grumbulluan 3 ton predha të kalibrave të ndryshëm, të cilat u asgjësuan në poligonin e asgjësimit të municioneve në ishullin e Sazanit në bashkëpunim me grupin EOD të Brigadës së Logjistikës. Gjithashtu u asgjësua edhe një silurë e Luftës së Dytë Botërore në rajonin e Pashalimanit./Start/

                                                                                             2012-04-18 09:53
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›