E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Interkonjeksioni”, Berisha: Krizë e radhës e mafies së dëshpëruar

Në një dalje të gjatë para gazetarëve pasditen e sotme, kryeministri deklaroi se shkrimi ishte një krizë e radhës e mafies së dëshpëruar. “Mafia nuk ka atdhe, atdheu i saj është shpella ku ndan paratë e krimit. Mafia nuk ka sy, vetëm fytyrën e krimit, nuk ka moral”, u shpreh kryeministri Berisha, duke theksuar se linja e interkonjeksionit me Kosovën do të bëhet, por në përputhje të plotë me ligjin, rregullat dhe interesin e qytetarëve shqiptarë.

Shefi i qeverisë theksoi se ministrat dhe kabineti qeveritar janë gardianët e interesit publik, por “pavarësisht dëshirave, ligjet mbeten ligje dhe nuk mund të preken”. Sipas tij, “oferta që përmend Edi Rama është 30% më e kushtueshme se oferta tjetër për të cilën drejtuesi i OST-së mendon se duhet të fitojë. Ministria e Financave nuk pranon një borxh prej 10 milionë dollarësh më shumë për shkak të preferencave që tregojnë për një kompani apo për një tjetër”.

Berisha shtoi se ka pasur një ankesë në Këshillin e Ministrave, i cili ka bërë kontrollin dhe ka marrë vendimin që ia ka përcjellë autoritetit kontraktues.

Duke u ndalur te çështja e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kreu i qeverisë theksoi se nuk ka asnjë ngërç midis Parlamentit dhe KLD-së. Ai akuzoi Presidentin e Republikës se po përpiqet të dhunojë Kushtetutën e vendit, duke vijuar se kreu i shtetit “e mbyll mandatin duke regjistruar akte rekord në historinë e një demokracie, të dhunimit dhe thyerjes së Kushtetutës. Ky zotëri, në konceptin më primitiv, më rudimentar, më të prapambetur, konsideron karrigen e Presidentit mbi ligjin themelor të shtetit”.

Berisha foli edhe për tensionet e fundit në Maqedoni, ku kërkoi që ato të mos bëhen shkas për të nxitur konflikte ndëretnike. “Sipas të gjitha informacioneve, autoritetet maqedonase kanë bërë dhe po bëjnë të gjitha përpjekjet për zbatimin e ligjit. Ne kemi kontakte me autoritetet dhe forcat politike. Veprim i shëmtuar është vrasja e peshkatarëve, por e shëmtuar dhe e papranueshme është edhe projeksioni në akuza kolektive. Autorët duhen gjetur dhe vendosur para drejtësisë. Këtu nuk ka asnjë qëndrim tjetër. Natyrisht, është absolutisht në të kundërtën e interesit të shumicës që këto incidente të bëhen shkas për të nxitur konfliktualitet të marrëdhënieve ndëretnike. Paqja dhe stabiliteti i Maqedonisë është interes jetik i shqiptarëve”, tha Berisha.

Lidhur me situatën në veri të Kosovës, kryeministri theksoi se ngjarjet atje janë rikthim në kohën e Millosheviçit. “Pamja e dy policëve të lidhur e të shtrirë si armiq dhe akti terrorist ndaj një qytetari e familjes së tij, janë rikthim në modelin e Millosheviçit”, tha Berisha.

“Në Serbi ka një periudhë zgjedhore, por kjo nuk mund të justifikojë këto qëndrime ndaj dhe uroj e shpresoj që marrëveshja e arritur në Bruksel të zbatohet në interesin më të mirë të Prishtinës dhe Beogradit. Vlerësoj faktin se Beogradi hoqi dorë nga zgjedhjet lokale në veriun e Mitrovicës”, theksoi kreu i qeverisë shqiptare.

Sa i takon zgjedhjes së Presidentit të ri, Sali Berisha u shpreh se do të ketë konsultime me koalicionin dhe me opozitën. “Do të jetë një proces kushtetues. Pa diskutim do ketë konsultime me koalicionin dhe me opozitën. Konsultimet janë të hapura, por Presidenti do të jetë një nga personalitetet e shquara të PD-së” tha Berisha.

Por Kryeministri u shpreh skeptik për arritjen e rezultateve konkrete, duke u bazuar në votimin e fundit për anëtarin e ri të KLD-së në Kuvend. “Opozita ka një problem të lindur me votën, ka frikë më shumë se asgjë nga vota”, u shpreh Berisha. Sipas tij, procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri do të jetë plotësisht kushtetues dhe do të pranohen të gjitha modalitetet që përmban rregullorja e Parlamentit Evropian.

Numri një i ekzekutivit theksoi se maxhoranca nuk do të marrë asnjë nismë ndaj Presidentit Topi edhe nëse ai nuk tërhiqet nga propozimi i tij për postin në KLD. Ai u shpreh se Topi duhet t’i kalojë i qetë ditët që i kanë mbetur në Presidencë, ndërsa nuk nguroi ta akuzojë se e ka kthyer këtë institucion në vendin ku organizohen mbledhjet e partisë së tij.

“Ne nuk ndërmarrim ndonjë nismë ndaj Topit, për arsye sepse janë muajt e fundit të mandatit të tij. Ekzistojnë standardet më të papranueshme në atë institucion, bëjnë mbledhje partiçkash. Institucioni i parë i vendit, Presidenca, është shndërruar në një partiçkë, në selinë e një partie të vogël. Ne vendosëm që do ta tolerojmë, e garantoj që do jetë i qetë deri në ditën që të bëhet dorëzimi i postit të tij”, tha Berisha.
/Start/

                                                                                             2012-04-17 21:52
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›