E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis përzgjedhja e familjeve përfituese

20/07/2010 Rama inspekton punimet për ngritjen e 400 banesave sociale në Shkozë

Kryebashkiaku Edi Rama ka inspektuar gjatë ditës së djeshme ecurinë e punimeve për ngritjen e 400 banesave sociale për të pastrehët e kryeqytetit në zonën e ish-Uzinës së Autotraktorëve në Shkozë. Rreth 400 familje të pastreha të Tiranës jo vetëm do të kenë mundësi për një strehë të përshtatshme, krijimin e kushteve normale e cilësore të jetesës, por dhe përfitimin e shërbimeve të tjera, deri dhe mundësi punësimi. Sipas projektit të konceptuar nga ekspertët e bashkisë, parashikohet ngritja e një çerdheje, kopshti, shkolle, hapësirave për fëmijët e deri në ngritjen e një qendre sociale, që do të vihen në dispozicion të banorëve në këtë kompleks të integruar, duke krijuar kështu të gjitha lehtësitë e mundshme dhe infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e jetës komunitare. Fondet për financimin e këtij projekti janë 12 milionë euro, nga të cilat 6.347 milionë euro janë financim me kredinë e marrë nga Banka e Këshillit të Evropës, shumë e cila do të shlyhet nga Bashkia e Tiranës. Projekti, i cili në fazën e parë parashikon ndërtimin e 3 blloqeve të banimit, aktualisht është në fazën përfundimtare në dy nga këto blloqe dhe po punohet me qëllim përfundimin në fillim të vitit të ardhshëm të bllokut të tretë. Krahas punës ndërtimore, paralelisht me këtë proces bashkia ka nisur punën për procedurat e përzgjedhjes së përfituesve nga ky program social strehimi, mbështetur në kriteret e përcaktuara në ligjin “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”. Sipas kryebashkiakut, përfundimi i këtyre punimeve përcakton krijimin e një vizioni të ri për strehimin social, për familje që pavarësisht se janë në kushte të vështira sociale dhe ekonomike, meritojnë të jetojnë në një mjedis cilësor e të sigurt, meritojnë të jetojnë jo vetëm në një shtëpi, por dhe pranë një hapësire me çerdhe, kopsht, shkollë, qendër shëndetësore dhe hapësira të gjelbëruara. “Ne do të bëjmë ç’është e mundur që jo vetëm ta përfundojmë këtë risi shumë të pritur prej kohësh, por dhe të ndërtojmë politika komunitare dhe aktivitete zinxhir, të cilat do të bëjnë të mundur që të gjitha grup-moshat që do të përfshihen në këtë bllok të mund të jetojnë në kushte optimale dhe njëkohësisht ta kthejmë këtë në një model të bashkëjetesës qytetare, duke filluar që nga jetësimi i ligjit për bashkëpronësinë dhe administrimi i përbashkët i hapësirave të banimit në të gjithë territorin që i përket komunitetit, duke filluar nga kopshtet, parqet, çerdhet e shkollat, deri te hapësirat e shkallëve të përbashkëta”, - është shprehur Rama gjatë inspektimit të punimeve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›