E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis punimet komisioni për ref.zgjedhore, 3 çështje pezull

Ka nisur nisur punimet komisioni për reformën zgjedhore. Seancën e së enjtes Parlamenti rimandatoi Komisionin e Reformës Zgjedhore, i cili do të ketë edhe tri javë të tjera kohë për të përmbyllur ndryshimet në Kod. Me 117 vota pro dhe një abstenim Kuvendi ka votuar për shtyrjen e afatit të punës së këtij komisioni deri në datën 12 korrik.
 

Çështja e parë që duhet të zgjidhin maxhoranca dhe opozita është ajo e përbërjes së KQZ-së. Zyrtarisht pakica ka propozuar formimin e një KQZ-je me 6 anëtarë, siç zgjidhen aktualisht, dhe kryetari të vijë nga një prej institucioneve të Drejtësisë, ose Avokati i Popullit.
Ky propozim është hedhur poshtë që në fillim nga shumica dhe prej asaj kohe nuk ka pasur asnjë lëvizje tjetër në këtë drejtim.

Çështja e dytë po kaq e rëndësishme është dispozita ligjore për hapjen e kutive të votimit. Partia Demokratike gjatë mbledhjeve të Komisionit ka kërkuar që kjo dispozitë të jetë e detajuar dhe të parashikohen ekzaktësisht të gjitha rastet kur mund të hapen kutitë e votimit përmes dy anëtarëve të KQZ-së.
 

Sipas PD-së, fillimisht duhet të ketë ankimim nga forca politike, të ketë prova bindëse dhe gjurmë në procesverbalet e KQV-ve dhe KZAZ-ve. “Nuk mund të zëvendësohen 20 mijë komisionerë me 2 anëtarë të KQZ-së”, shprehen burime zyrtare nga maxhoranca. Nga ana e saj opozita kërkon që dy anëtarë të KQZ-së të kenë fuqi të plotë në hapjen e kutive të votimit dhe vendimmarrja të jetë e menjëhershme në Komision sa herë që ata e kërkojnë.

Pika e tretë, që duket se është më pak problematike nga dy të parat, është futja e teknologjisë në procesin zgjedhor. Shumica kërkon zbatimin e rekomandimit të OSBE/ODIHR-it, sipas të cilit, numërimi elektronik dhe pajisja që lexon kartën e identitetit në qendrën e votimit të aplikohen si projekt pilot në 10% të qendrave të votimit. Nga ana e saj opozita shprehet se rekomandimi i OSBE/ODIHR-it është vetëm sugjerim dhe niveli i shtrirjes së teknologjisë mund të jetë më i madh se 10%.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›