E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis rikonstruksioni i rruges Mahmut Fortuzi

Kryebashkiaku Basha ka inspektuar punimet në rrugën “Mahmut Fortuzi” e cila lidh rrugën e ”Barrikadave” me Unazën, në njësinë bashkiake nr.9. Investimi prej 10.5 milionë lekësh parashikon ndërhyrje të plotë nën dhe mbitokësore. Mungesa e ndërhyrjes në kanalizime vërtetohet më së miri nga ekzistenca e kanalizimeve prej qeramike dhe nga shpërthimet e herë pas hershme të ujërave të zeza në sipërfaqe, duke sjellë jo pak probleme për cilësinë e jetës së banorëve.

“Një pjesë e mirë e bashkëmoshatarëve dhe bashkëgjimnazistëve të mi e mban mend si një ndër zonat më vjetra të Tiranës por për fat të keq në këtë rikthim te kjo lagje, shoh që lluca dhe balta e vjeshtës janë shoqërues të pandarë të banorëve, ndërkohë që risia e harresës të dekadës së fundit ka bërë që gjatë gërmimeve për sistemimin e kanalizimeve të ujërave të zeza të gjejmë edhe relike arkeologjike, siç janë kanalizimet prej qeramike”- ironizoi Basha.

Me përfundimin e punimeve, pas 6 muajsh rruga “Mahmut Fortuzi” do të ketë gjerësi totale të rrugës 6 metra, me trotuarë në të dy anët, me gjerësi 2 metra. Përveç sistemit të kanalizimeve, do të vendoset edhe ndriçimi rrugor.

Kryebashkiaku ka garantuar qytetarët e Tiranës, se në konsultim dhe bashkëbisedim me ta, Bashkia e Tiranës ka vendosmërinë për të ecur me shpejtësi, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës në çdo cep të Tiranës.
“Siç kemi avancuar deri tani, në konsultim të plotë me ta, po ashtu do të avancojmë për të mbyllur me durim, me vendosmëri dhe shpejtësi optimale “plagët e hapura urbane”, në çdo cep të qytetit tonë” – vijoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›