Nis sekuestrimi i shoqërive Micro Credit Albania dhe “Final” nga Policia e Krimit Ekonomik

TIRANË, 19 korrik/ATSH/- Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Tiranës për sekuestrimin e shoqërive Micro Credit Albania dhe “Final”, që dyshohet se kanë kryer skema mashtrimi për të zhvatur qytetarët.
“Menjëherë më pas, Policia e Krimit Ekonomiko Financiar është drejtuar drejt këtyre shoqërive dhe po bën inventarin e dosjeve”, raportin TCH.
Prokuroria e Tiranës deklaroi sot se dy shoqëritë kanë konsumuar veprat penale “Mashtrimi me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë Kriminale”.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, shoqëritë tregtare MCA dhe Final, në bashkëpunim me Shoqërinë ADCA dhe me disa shoqëri të tjera përmbarimore, kanë krijuar së bashku një skemë mashtruese me qëllim vjedhjen dhe zhvatjen e qytetarëve që aktualisht përllogaritet në miliona euro.
Shoqëritë dhe personat nën hetim në mënyrë abuzive kanë përdorur të dhënat personale të siguruara në mënyrë të paligjshme të debitorëve, ndaj të cilëve madje kanë ushtruar presionin psikologjik dhe kanë përndjekur familjarët e tyre, me qëllim nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të kredive;
Dy shoqëritë kanë sekuestruar llogaritë bankare të debitorëve në kundërshtim me ligjin dhe tej minimumit jetik, dhe u kanë sekuestruar pronat e paluajtshme në mënyrë jo proporcionale me detyrimin e mbetur.