Nis shqyrtimi, të gjithë sytë sot janë tek Kolegji Zgjedhor
Trupa e gjyqtarëve do marrë sot një vendim historik, që mund të sjellë drejtësi, ose mund ta çojë vendin në kolaps. Përgjegjësia është e madhe, tensioni shumë i lartë
Sot në orët e paradites Kolegji Zgjedhor u mblodh për të shqyrtuar e për të dhënë vendimin për një nga çështjet më të debatuara sa i përket zgjedhjeve në Shqipëri.
Ata do të vendosin në lidhje me një akt normativ të përgatitur nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, që i ka dhënë këtij të fundit fuqinë për të hapur kutitë e votave e për të quajtur si të vlefshme votat e hedhura në kutitë e gabuara.
Sytë dhe vëmendja e çdo shqiptari është drejtuar nga Kolegji Zgjedhor, mbi të cilin rëndon një barrë tepër e rëndë. Ndërkombëtarët po ashtu presin që Kolegji sot të japë drejtësi.
Papritur, kur u duk se zgjedhjet po mbylleshin pa ndonjë problem, në një konferencë për shtyp kryeministri Sali Berisha foli për gabime njerëzore, duke lënë të gjithë në pritje të shpikjes për të prekur rezultatin e ngushtë zgjedhor. Edhe pse tha se të dhënat e partisë së tij flasin për fitore, të gjithë e dinin se votat e numëruara përpara kamerave tregonin të kundërtën. Atëherë lindi varianti i votave në kutitë e gabuara. Një lajm i tillë alarmoi opozitën, por tmerroi edhe ndërkombëtarët, që deklaruan se rregullat nuk mund të ndryshohen në fund të lojës.
KQZ mori përsipër që të hartojë një akt normativ për të hapur kutitë e numëruar këto vota. Vëzhguesit e ODIHR thanë se baza ligjore ishte e paqartë dhe se akti nuk iu ishte dorëzuar atyre. Pas disa ditësh pasi u numëruan kutitë, KQZ vendosin të miratojë aktin në tërësi, pasi e kishte miratuar atë në parim.
Pas rinumërimit të votave, Basha doli 81 vota përpara, ndërsa shumëkush zgurdulloi sytë duke thënë se se kjo thyen çdo ligj të matematikës e të probalitetit. Sipas ekspertëve, është e pamundur që të dalin më shumë vota për Bashën në një garë që u nda në barazim. Por Berisha thotë se votuesit e Bashës ishin më të emocionuar, ndaj votuan gabim më shumë.
Në mes të këtij tensioni dhe këtyre justifikimeve fëminore, Kolegji shtyu para një javë vendimin për shkak se PS kërkoi të bashkoheshin dy paditë e saj. Sot, fiks pas një jave, do ketë një vendim. Analistët e huaj thonë se ky vendim mund të sjellë drejtësi, ose mund ta zhysë Shqipërinë në një spirale të rrezikshme. Kësaj herë nuk do ketë më ngërç politik, por trazira sociale. Asgjë nuk dihet mbi vendimin që do marrin sot gjykatësit e Apelit, por një gjë dihet me siguri, kjo datë do jetë e shënuar në historinë e pluralizmit shqiptar.