Kolegji, PD:Të rrëzohet kërkesa e PS, jo e bazuar në ligj

Kolegji Zgjedhor po vijon shqyrtimin e kërkesës së Partisë Socialiste për të shpallur të pavlefshëm vendimin e KQZ-së për të numëruar votat e hedhura në kutitë e gabuara, dhe për t`i përfshirë ato në tabelën përmbledhëse.
Pas rifillimit të seancës pas 15 minutave pushim fjalën e ka marrë favokatja e KQZ-së Dëshira Pasko e cila hodhi poshtë pretendimet e përfaqësuesve ligjorë të PS-së të cilët deklaruan se vendimi është akt normativ. Ajo tha se vendimi i marrë nga komisioni është i ligjshëm ndërsa shtoi se KQZ-ja ka vlerësuar ato raste për të cilat ka patur sinjalizme nga KZAZ-të e Tiranës.
Ndërkohë në fjalën e tij përfaqësuesi i Partisë Demokratike ka deklaruar se vendimi 709 është i bazuar në arsyetimin kushtetues. Sipas tij ishte e nevojshme që të numërohej vullneti i çdo zgjedhësi ndërsa ka shtuar se Partia Socialiste se nuk do që të numërohen votat e vlefshme.
Ai ka theksuar gjithashtu se vendimi 709 nuk është akt normativ por individual ndërsa ka kërkuar që pretendimi i PS-së të rrëzohet si i pabazuar në ligj.