Nis sot Asambleja e KiE-së, diskutohet raporti i Dick Martit

Nis sot sesioni i ri i Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Evropës. Ky sesion do të diskutojë të martën e 25 janarit, raportin për trafikim organesh në Kosovë, të hartuar nga raporteri zvicerian Dick Marty.
Beogradin në këtë mbledhje do ta përfaqësojë delegacion i Kuvendit të Serbisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, me në krye Dragolub Micunoviç. Në axhendën e Këshillit është parashikuar më datë 26 janar pjesëmarrja e presidentit serb Boris Tadiç.
Edhe Kosova ka paralajmëruar pjesëmarrjen e delegacionit të Kuvendit të Kosovës. Ajo nuk është anëtare e Këshillit të Evropës, por zëvendësministrja e Jashtme e Kosovës, Vlora Çitaku, ka theksuar se që nga viti i kaluar u është lejuar pjesëmarrja në punimet e institucioneve të Këshillit të Evropës kur bëhet fjalë për Kosovën.
Ndërsa delegaconin shqiptar është vendosur ta përfaqësojnë deputetët Ilir Rusmaili, Shpëtim Idrizi, Lajla Përnaska dhe Arben Ahmetaj. Palët pritet të dalin me një platformë të përbashkët për të kundërshtuar këtë raport. Po sipas axhendës është parashikuar pjesëmarrja e kryeminstrit shqiptar Sali Berisha, më datë 27 janar.
I paqartë mbetet përfaqësimi i shtetit maqedonas dhe qëndrimi që do të mbajnë lidhur me raportin. Edhe përfaqësuesit shqiptarë nuk janë ende të qartë së si duhet të votojnë, por deklaruan se vendimi do të merret në Strasburg.