E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis sot regjistrimi i popullsisë. Aleanca Kuq e Zi: Grisni faqen e zezë të formularit

Sot ka nisur regjistrimi i popullsisë dhe banesave në gjithë Shqipërinë. Ndërsa ministri i Inovacionit, Genc Pollo, ka kërkuar që shqiptarët të plotësojnë formularin me krenari, ka pasur zëra që kanë kërkuar bojkotin ndaj këtij regjistrimi. Disa nga organizatat minoritare në Shqipëri kanë kërkuar që të mos plotësohet formulari, duke thënë se ai synon diskriminimin e minoriteteve. Ata janë kundër gjobë 1 mijë dollarë për ata që mashtrojnë në census. Nga ana tjetër, lëvizja Aleanca Kuq e Zi ka kërkuar që të griset ajo fletë e formularit, që kërkon nga qytetarët të tregojnë për fenë dhe etninë e tyre. Në një deklaratë para INSTAT, Aleanca kërkoi që qytetarët të regjistrohen masivisht, por të zbatojnë vendimin e Kushtetueses për të mos u shprehur për etninë. Duke iu referuar deklaratës së Berishës, që i quajti ata ‘faqezinj’, drejtuesit e Aleancës kërkuan të griset ‘faqja e zezë’ e formularit. Lëvizja e tyre ka pasur sukses, së paku në media, tani mbetet për tu parë se si do reagojnë qytetarët ndaj këtij regjistrimi, ndoshta të parit regjistrim të plotë të realizuar në Shqipërinë post- komuniste. Një fakt i rëndësishëm është se mesa duket është goditur shtylla kryesore e këtij censusi, besimi i qytetarëve tek regjistrimi. Kjo për shkak se ky është një proces besimi të ndërsjellë. Po ashtu, fqinjët, por edhe vende të tjera në rajon kanë ngritur stekën e pretendimeve në qiell në lidhje me numrin e minoritarëve në Shqipëri. Përveç Greqisë që ka pretendimet e saj specifike, në sulm janë hedhur edhe maqedonasit, bullgarët, serbët e rumunët. Gjeni më poshtë disa pyetje e përgjigje të shpejta në lidhje me censusin.

Çfarë është Censusi i Popullsisë dhe Banesave?

Censusi i popullsisë dhe banesave është numërimi i të gjithë njerëzve, banesave dhe pronave brenda territorit të Shqipërisë në një kohë të caktuar. Ai është një imazh statistikor që tregon, përmes të dhënave, kush jeton në Shqipëri, kushtet socio- ekonomike dhe kushtet e jetesës. Censusi është një nga veprimtaritë statistikore më të rëndësishme e cila siguron një informacion te detajuar mbi numrin dhe strukturën e popullsisë, e krahasueshme edhe në njësi shumë të vogla gjeografike. Censusi nuk është i lidhur me regjistrat e taksave, pensioneve, pronësisë, shpërndarjes se energjisë elektrike apo statusit të emigrantit.

Kush do ti përdorë të dhënat e Censusit?

Qeveritë në nivel kombëtar dhe lokal, bizneset, institucionet kërkimore dhe akademike, agjensitë zyrtare statistikore, shoqëritë civile, individët, partneret rajonalë, Bashkimi Evropian, organizatat ndërkombëtare si FMN, OEBZH, Banka Botërore, OSBE, organizata te Kombeve te Bashkuara si UNFPA, UNICEF, dhe shume homologe te tjera ndërkombëtare.

Si do ta njoh një anketues?

Anketuesit kane një karte identifikimi zyrtare dhe përdorin pyetësorin zyrtar të Censusit.

Çfarë do të ndodhë me të dhënat e mia?

Ligji garanton mbrojtjen e të dhënave dhe konfidencialitetin e të dhënave personale. I gjithë informacioni i mbledhur do të jetë konfidencial dhe do të shërbejë vetëm për të nxjerrë të dhënat zyrtare të Censusit dhe statistikat e tij. Pyetësorët do të jenë të sigurt dhe vetëm INSTAT do të mund te kryejë hedhjen dhe përpunimin e të dhënave. Informacioni personal i Censusit mbahet konfidencial. Të dhënat e Censusit do të përdorën vetëm si shifra të agreguara dhe do të shërbejnë vetëm për të publikuar të dhënat dhe statistikat zyrtare të Censusit.

Kur do të ndodhë?

Censusi do të zhvillohet në periudhën 1- 21 tetor 2011.

Pse pyesni rreth besimit fetar dhe etnik?

Individët mund të tregojnë në Census etninë dhe besimin e tyre fetar nëse ata dëshirojnë, por sigurimi i këtij informacioni nuk është i detyrueshëm. Ky është një parim në përputhje me standartet ndërkombëtare. Kombet e Bashkuara japin disa rekomandime lidhur me këtë pike. Në Parimet dhe Rekomandimet për Censusin e Popullsisë dhe Banesave 2008 thuhet: të dhënat etno-kulturore janë të rëndësishme për të kuptuar diversitetin kulturor të një popullate, pozicionimin e grupeve etnike në shoqëri si dhe për hartimin dhe monitorimin e politikave antidiskriminuese. Shumë shtete e përdorin këtë informacion për të kuptuar proceset e integrimit të emigrantëve dhe fëmijëve të tyre. Ky informacion gjithsesi është vullnetar, kështu që asnjëri nuk është i detyruar të tregojë besimet e tij kundër dëshirës së tij/saj.

A duhet tia tregoj kartën time të identitetit numëruesit?

Jo! Të dhënat personale (data e lindjes, vendlindja, gjendja civile, etnia, shtetesia, shkollimi,etj) do të mblidhen mbi baza të deklarimit vullnetar. Megjithatë ju mund të përdorni kartën tuaj të identitetit dhe çdo dokument tjetër nëse ju ndihmon të jepni informacion të saktë.

A jam unë i detyruar të përgjigjëm?

Po. Të gjithë njerëzit që jetojnë në Shqipëri,vendas dhe të huaj, me përjashtim të stafit diplomatik të akredituar në Shqipëri, të cilët janë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë në kohën e Censusit, janë të detyruar të sigurojnë saktësisht informacionin e kërkuar për Censusin, për veten dhe të afërmit e tyre. Pjesëmarrja në Census e të gjithë njerëzve që jetojnë në Shqipëri është një detyrim shoqëror dhe komunitar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›