E Diel, 1 Nëntor 2026

Retro/Histori: 1 tetor 1684 Vdekja e dramaturgut francez Pierre Corneille

Dramaturgu i madh francez i shekullit XVII, Pierre Corneille, është shquar për vepra teatrale të pasura dhe moderne. Fillimisht u frymëzua nga komedia e më pas do të shkonte dalëngadalë drejt tragjedisë, gjithnjë me një talent, liri dhe zemërgjerësi.

Pierre Corneille u lind më 6 qershor 1606 në gjirin e një familjeje të pasur. Fëmija më i madh i familjes me 6 fëmijë, ai ndoqi studimet në kolegjin e jezuitëve në Rouen. Nxënës i shkëlqyer, tërhiqet shumë nga arti i retorikës dhe temat antike. I përfundon studimet për jurist, por jo me ndonjë dëshirë për të ndjekur rrugën e babait dhe gjyshit. Më pas vendos t’i futet poezisë. Megjithatë, ai do të punojë si avokat deri në vitin 1651. Më pas shkruan pjesën e parë të quajtur Mélite, më 1629. Një vit më pas kjo pjesë u vu në skenë dhe ishte komedia që do të shënonte nisjen e karrierës së tij të shkëlqyer. Ai frymëzohet nga ngjarjet e jetës dhe personazhet që e rrethojnë për të paraqitur pjesë teatrale të arrira, realiste dhe plot ndjenjë. Pa u ndarë dhe nga gjinia e tij e preferuar, shkruan dy tragji-komedi, Clitandre (1631) dhe Médée (1635).

Në vitin 1637 Corneille prezanton “Cid”, veprën më të madhe të karrierës së tij dhe që pati një sukses të madh jo vetëm në Francë. Kjo tragji-komedi ka në qendër një dashuri torturuese, që ka në mes dy duele dhe një konflikt familjar. Në qendër të veprës është tema e nderit dhe pushtetit mbretëror. Me gjithë suksesin, Corneille u shua në Paris më 1 tetor 1684 në harresë dhe varfëri.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›