E Shtunë, 31 Tetor 2026

Retro/Press: Shoqnija shqiptare

Përveç moralit individual që karakterizon nji person të caktuem, rrëfen parimet mbas të cillave rregullon jetën, e cillëson kështu ose ashtu, kendimi edhe nji moral tjetër shoqënuer që përcakton karakteret e veçanta të nji kolektiviteti, i përçmon vetijat e tija i qet në pah frymën qi drejton qëllimet e përbashkëta t’asaj shoqënije.

Morali shoqënuer, me spiritën e tij të veçantë, rrëfen bazat e përgjithëshme të shoqënisë, qëllimet që inspirojnë veprimet e saja, mentalitetin që zotnon klasat e ndryshme, nivelin e përgjithëshëm të kulturës së nji populli.

Çdo popull ka të moralin e tij që e dallon nga popujt e tjerë. Ka traditën e veçantë e cilla e influencon në shikimin e pikë pamjeve të reja që i dalin përpara.

Edhe na shqipëtarët, si të gjith popujt e tjerë, kemi sot për sot at moralin tonë shoqënuer, që ndonji herë jemi munduem me e bamë kombëtar.

Kështu pra edhe na kemi disa parime të vjetra e të qëndrueshme që rregullojnë jetën t’onë si popull, kemi zakone e mentalitete që i mbajmë si t’onat, që drejtojnë udhën e cakun e qëllimeve të përbashkëta si kolektivet, kemi nji moral shoqënuer që na karakterizon si Shqipëtarë në të gjitha anët e jetës, kemi vetija të posaçme nga popujt e tjerë. Të gjitha këto na japin një ftyrë në vete. Ndodhë shumë herë që këto vetija të mos jenë tëvetëme për nji popull të caktuem, të kenë lidhni të ngushtë me të tjera të kolektiviteteve të ndryshme, por mjafton që ata popuj që gjinden larg këtij, për t’u dukë ky me nji frymë të tijën.

E ky pikërisht asht rasti i Shqipërisë për sa i përket moralit shoqënuer që zotënon ose ka zotnuem deri tashti.

Zakonisht këjo frymë që karakterizon popujt e ndryshëm mund të mos jetë edhe e kohës, e prandej në kundërshtim me atë përqark, në kundërshtim me rrethana e mentalitete që hijen me vehte nji epok e re, e ahere kejo dale nga dale fillon e asimilohet, zhduket per ti leshuem vendin tjetrës, të cilën e ndihmon koha e rrethanat.

E Shqipnia e sotme po e ban këtë evolucjon e, me gjith se mbas kohe, shoqënija e jonë po përpiqet me u konformuem me jetën që frymëzojnë çdo veprim, me aspiratat që frymëzojnë çdo veprim të lëvizjeve të mëdha të ditës; fazat e këtij ndryshimi po i shohim e po i jetojmë çdo çast. Kështu morali ynë shoqënuer sot për sot gjendet në nji gjendje transicjoni, këndej shpjegohet edhe mos kënaqësija e ditëve tona, shrregullimi në të gjitha pikëpamjet e jetës shqiptare.

Që thomi të drejtën na nuk kemi pasun kurrë nji moral shqiptar, sepse popull i vogël e jemi drejtuem kurdoherë nga ma të mëdhajt, të pakulturë, na asht imponuem gjithmonë ma i zhvilluemi.

Ajo që kemi parë neve ka qenë fryma pagane, orjentale e mentaliteti në shumicësa.

Me gjith përpajnimin e besimeve të reja, me frymëzimet e ndryshme që kanë dikuem në këtë vendim t’onë, spirita e jonë ka qenë pagane në tanë kuptimin e fjalës.

Pagane ka mbetë mënyra se si e konceptojmë jetën në çfaqjet e saja të shumëta, pagane ka mbetë mënyra se si jetojmë jetën.

Naturalizmi, instikti i lirë kanë qenë e janë ende sot bazat e jetës së pjesës ma të madhe të popullit t’onë.

Malësitë e katundet t’ona, me gjithëse nën influencën direkte ose indirekte të besimeve, nën tmerin e asaj ose të kësaj rryme, kanë mbetë po ato që kanë qenë edhe para ardhjes së këtyre.

Sepse rryma e maparshme ishte ma e përshtatshme për konditat e jetës, ishte ma e favorëshme për të vazhduem traditën që i pëlqente popullit e që ishte e vetmja kënaqësi kundra asketizmit të rij që po përhapej.

Sipërfaqësisht ky nuk mujeti t’u kundërshtojë, sepse koha ishte e tillë, parimet të ndryshme, dhe sundueset e dojshin ketë.

Por tradicjoni nuk u la krejt, sepse qe ma i rranjosun.

Ma vonë konditat politike e ekonomike bane që të përpanjohet një mendësi pakë a shumë orientale. Dhe këjo ngjau ma teper nder qytete që ndodhen ma shume nën influencën direkte të kësaj rrymë. Me gjithse qytetet t’ona perbaheshin nga elemente heterogjene, rryma e fortë pakë a shumë i përpiu tue i futun në gjirin e sajë vdekje prues.

Por edhe këjo fryme nukë i mujet me u rranjosë dhe, si e para, mbeti e përciptë. Mbasi edhe kejo ishte në kundërshtim me idealin e turmave, kurdoherë kundërshtarë të çdo të reje që prishë harmoninë e jetës sa ma parëshme.

Por, me gjith fitimin e pakët e të vogël të të dytave, e para u ligështue. Kështu në Shqipni zuni vend nji ideologji shumë anëshe e shumë drejtimëshme.

Tue pasun për bazë traditën, tue u frymëzuem nga patriarkalizma ma intrasingente, shoqënija shqiptare nuk muejti kursesi me pasë themele të forta, dhe si ç’u pa ma pastaj këto qëndroshin mbi ranë.

Gjendja politike e kohës e favorizoi shumë mbajtjen e stau-quos që u krijue gjatë robënisë shekullore; fryma e klasës sundonjëse ishte e tillë që e favorizonte, për interesë të mbajtjes saj, gjëndjen që ishte përpajnuem.

Por me çlirimin politik dhe gjendja morale e popullit pati tronditje të thella, sepse përdhunimi që e mbante të lidhun deri atherë u shkatrrue tue lëshum shoqëninë shqiptare në nji shregull që ndrronte herë pas here, si mbas duerve që mershin në dorë frenat si drejtuesja të shumicës.

Fati i ynë solli drejtimet e ndryshëme politike të jenë shpesh herë edhe në kundërshtim në mes të tyne, kështu nuk qe e mundun m’u konsoliduem hëpërhë ajo harmoni që dikush shpresonte se do të arrihej dhe e cila harmoni do të ishte vetëm vijimi i gjëndjes se vjetër, plot korrupcjon në çdo çfaqje të sajën. Por me gjithë këtë, korrupcjoni u zhvillue edhe ma tepër tash vonë tue arrijt kulmin, gja që ndihmoi shumë për të dhanë shkasin për kërkesa të reja.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›