E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis terminali i ri i pasagjerëve, 10 linja urbane, 400 mikrobuzë

Ndërtimi i terminalit të ri të pasagjerëve në Tiranë do të kushtojë 20 milionë euro. Terminali do të ketë një kapacitet  prej 10 linjash autobusi, 400 mikrobuzë, duke zhvendosur brenda tij edhe stacionin e trenit.
Studioja
Studimi për fizibilitetin e terminalit të pasagjerëve në Tiranë do të bëhet nga një studio e njohur italiane. Banka Europiane për Ndërtim dhe Zhvillim e cila ka dhënë dhe fondin prej 500 mijë euro për këtë studim, ka bërë dhe përzgjedhjen e konsulentit. Kryetari i bashkisë Lulëzim Basha e ka cilësuar ndërtimin e terminalit si një nga projektet më të rëndësishme në zhvillimin e qytetit të Tiranës.
Basha
“Është një studio projektuese, arkitekturore, zhvilluese e një prej koorporatave më të mëdha evropiane të hekurudhave italiane, pikërisht kjo studio që njihet si Ital Ferr. Është konfirmuar nga bordi i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim si studio që do të marr përsipër anën teknike, financiare, logjistike të ndërtimit të terminalit të ri të pasagjerëve për metropolin e Tiranës, i cili për nga rëndësia që paraqet si për hekurudhat, si për projektin e tramit, për autobusat interurbane dhe urbane, për taksitë dhe për shërbime të tjera tregtare është pa dyshim një nga projektet më të rëndësishme që Tirana ka përjetuar në këto 20 vite”, tha Lulëzim Basha, kryetar i baskisë.
Terminali
Terminali i ri multimodal do të ketë një sipërfaqe prej 80 mijë metra katrorë, me një kapacitet për 10 linja autobuzi, 400 mikrobuzë dhe 350 taksi. Ndërkohë që mendohet që edhe stacioni i trenit të zhvendoset në këtë terminal. Vlera e përgjithshme e ndërtimit të këtij terminali kap shifrën e 20 milionë eurove. Këto deklarata kreu i bashkisë i bëri gjatë një takimi me studentë të një universiteti privat në Tiranë, me të cilët ka ndarë disa nga projektet më të rëndësishme që do të ndërmarrë bashkia në zhvillim urban të kryeqytetit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›