E Shtunë, 31 Tetor 2026

G20 kerkon nga qeverite stimul ekonomik

Programet e stimulit të ekonomisë që kanë ndërmarrë bankat qendrore më të mëdha të botës janë të pamjaftueshme për të stabilizuar ekonominë globale. Në këtë përfundim kanë arritur zyrtarët e G20 që u takuan në Meksikë.  Ata u kanë kërkuar  qeverive të këtij grupimi që të bëjnë më shumë përpjekje në mbështetje të ekonomisë. Zëvendës ministrat e financave dhe bankierët qendrorë të G20 zhvilluan takim 2 ditor në Meksikë në momentet e thellimit të shqetësimeve për dobësinë në ekonominë globale. 
Zëvendës ministri i financave të Meksikës është shprehur se vendimet e bankës qendrore në SHBA, Japoni, dhe Europë kanë ndihmuar në qetësimin e tregjeve por janë të pamjaftueshme për të rritur ekonominë. “ekziston bindja që politikat e lehtësimit monetar në vetvete nuk janë të mjaftueshme”, ka thënë ai. 
Ndërsa të tjerët deklaruan se masat e stimulit ekonomik nuk mund të ndalin  risqet për rënien e ekonomisë në eurozonë, nuk munden të garantojnë shtrëngimin fiskal në Shtetet e Bashkuara dhe as të stimulojnë një normë më të lartë të rritjes së ekonomisë në vendet në zhvillim. Ata thanë se lehtësimi monetar është një formë e mirë për të blerë kohë por nuk shuan rreziqet. 
Megjithatë, sipas zyrtarëve programet e stimulit monetar janë një e keqe e domosdoshme . Takimi erdhi në përfundimin se situata ekonomike është përkeqësuar krahasuar me takimin e fundit të udhëheqësve të G20-ës. Ata kërkuan nga udhëheqësit që të përshpejtojnë veprimin për të mbështetur rritjen e konsumit, rritjen e ekonomisë dhe uljen e papunësisë pasi përkeqësimi i parashikimit për performancën e ekonomisë lë shumë pak hapësira për veprim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›