Vlere rekord e shitjes se naftes nga Albpetrol
Në prag të privatizimit, kompania shtetërore e naftës dhe gazit Albpetrol do realizojë një shitje rekord të naftës bruto për vitin 2012-2013. Kompania do të zhvillojë ankandin e radhës të shitjes së naftës bruto më 1 tetor 2012, pranë ambienteve të Ministrisë së Ekonomisë, tregtisë dhe energjetikës. E veçanta e këtij ankandi është se këtë herë do të shiten plot 100,000 ton nafte bruto, me një vlerë të përafërt prej 53 milionë dollarë. Ankandet e zakonshme janë zhvilluar per sasi prej 30,000 tonësh, ndërsa vetëm një herë prej 60,000 tonësh, ndërsa sasia që do të shitet më 1 tetor përbën rekord për të dhënat e vetë kompanisë. Ankandi do te zhvillohet me formulën e zakonshme të shitjes së naftës bruto. Lëvrimi i sasisë së produktit në stacionet përkatëse do të bëhet pas bërjes së pagesës apo marjes se Leter Creditit të naftës bruto jo më e vogël se 10,000 ton, në pikat e lëvrimit: Marinëz (Bankers), Stacioni Kuçovë, Stacioni Usojë, 16/1 (ARMO) Ballsh, Stacioni Zharrëz, Stacioni Sheqishtë.
Sasia e gjithë naftës bruto do të jetë 100,000 ton e cila do të evadohet brenda 180 ditëve apo (6 muaj) nga dita e nënshkrimit të kontratës (deri në mars të vitit 2013). Në këtë njoftim të METE sqaron të gjitha procedurat, kriteret për pjesëmarrje, kualifikim dhe vlerësim të ofertës të cilët duhet të jenë të pranishëm në hapjen e tyre më 1 tetor. Informacioni që komunikohet gjatë hapjes publike të ofertave duhet t’i komunikohet të gjithë Kandidateve blerës te pranishëm dhe oferta me vlerën me te lartë do të shërbejë si vlerë fillestare e fillimit të procedurës se ankandit publik.