E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis themelimi i Këshillit Nacional Shqiptar në Preshevë

 Në bazë të ligjit tashmë të aprovuar, iniciativa për themelimin e Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Serbi, është përkrahur me grumbullimin e 3 mijë e 100 nënshkrimeve të verifikuara në Gjykatat përkatëse komunale, si hap i parë. Ndërkohë hapi i dytë do të pasojë me formulimin e listës zgjedhore të firmosur nga 24 mijë e 760 votues shqiptarë, numër ky i definuar në proporcion me numrin e përgjithshëm të shqiptarëve që jetojnë në Serbi.

Sipas deputetit të vetëm shqiptarë në Parlamentin serb Riza Halimi, ky ligj është i bazuar në Konventën e Këshillit të Evropës për të Drejtat Kolektive të Pakicave Nacionale, në të cilën parashihen kompetencat në lëmin e arsimit, kulturës, informimit, përdorimit zyrtarë të gjuhës dhe simboleve kombëtare.

Iniciativa për formimin e Këshillit Nacional, e mbështetur tashmë edhe nga subjekti i dytë, i formuar para disa ditëve, e që vepron në të tri komunat e Luginës, Unioni Demokratik Shqiptar, fuqizon vendosmërinë për formimin e këtij institucioni të rëndësishëm.

Nga ana tjetër, ndonëse këshillat nacionale përfshijnë një gamë kompetencash përmes së cilave pakicat drejtpërdrejtë mund të përjetojnë avancimin e të drejtave të tyre, për juristin Agim Kamberi brengosës është fakti se ligji lë jashtë kompetencave të këshillave nacionale lëmenjtë vital siç është siguria dhe çështjet ekonomike e sociale.

Deri më tani ka pasur disa iniciativa për formimin e Këshillit Kombëtarë të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, mirëpo fatkeqësisht nuk ka pasur sinqeritet dhe gatishmëri politike për një veprim të tillë.

Iniciativa e fundit ka shënuar një konsensus politik të të gjitha subjekteve shqiptare në angazhimin e tyre për grumbullimin e 3 mijë e 100 firmave të nevojshme. (rtk/start)

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›