E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis votimi problemet te vogla ne disa zona

Ka nisur me disa probleme të vogla proçesi zgjedhor në qarkun e Korçës. Në komunën e Ravonikut, votimi nuk ka filluar ende pasi mungon pajisja e verifikimit të bojës.

Ndërkohë dje në mbrëmje në një tjetër komunë të këtij qarku ka pasur akuza nga shtabi socialist se është marrë vula nga kryetarja e komisionit zgjedhor. Dje në mbrëmje bashkia e Korçës nëpërmjet një reagimi ka akuzuar kampin e djathtë se ka thyer heshtjen zgjedhore duke shpërndarë materiale propagandistike, gjë që është kundërshtuar nga PD e zonës. Në këtë qarkë do të votojnë 185 mijë zgjedhës në 419 qendrat e votimit.

Në qarkun e Gjorokastër proçesi ka filluar me vonesë në disa qendra votimi në Gjirokastër dhe Memaliaj. Kryetari i KZAZ-së së Gjirokastrës ka bërë të ditur se disa komisionerë të djathtë janë paraqitur me vonesë gjë që ka bërë edhe shtyrjen e votimit, ndërkohë që në Memaliaj ende nuk ka nisur votimi në dy qendra pasi po bëhet verifikimi i materialit zgjedhor.

Ka nisur i qetë dhe pa probleme proçesi në Shkodër ku deri tani nuk është shënuar asnjë parregullsi. Të 411 qendrat e votimit në këtë qarkë janë hapur, ndërkohë që gara zhvillohet për 5 bashki dhe 28 komuna.

Ndërkohë pa probleme po vijon proçesi edhe në qarkun e Fierit ku është hapur votimit në të gjitha qendrat e votimit.

Sipas raportimeve të fundit, për të marrë pjesë në këtë votim kanë ardhur rreth 3200 emigrantë nga katër pikat doganore me Greqinë gjatë 24 orëve të fundit, ndërkohë që gjithsej nga pika e Kakavijës kanë ardhur gjatë këtyre ditëve 7200 persona. Edhe në këto momente në këtë pikë ka fluks emigrantësh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›