4000 vëzhgues gati për të ndjekur zgjedhjet e 8 majit
Një rol të rëndësishem në zgjedhjet vendore do ta kanë edhe vëzhguesit vendas. Në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve janë regjistruar mbi 4 mijë vëzhgues, që janë ndarë në grupe të lëvizshme dhe të stacionuara. Një veçanti sivjet, organizatat e grave janë bërë vëzhguese për të studiuar pjesëmarrjen e grave në zgjedhje.
Vëzhguesit vendas kanë bërë gjithçka gati për të ndjekur nga afër sot zgjedhjet e pushtetit vendor. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë akredituar më shumë se 4 mijë vëzhgues vendorë, pjesëtarë të disa organizatave. Edhe këtë vit shoqëria civile ka grumbulluar energji të mjaftueshme për të vëzhguar procesin zgjedhor. Krahas koalicionit të vëzhguesve me 900 vëzhgues me grupe të lëvizshme, risia këtë vit janë vëzhguesit e palëvizshëm të unionit shqiptar të cilësisë së jetës si dhe forumi i organizatave të grave, që do të ndjekin pjesëmarrjen e grave në zgjedhje.
Zgjedhjet vendore të 8 majit po priten me interesim nga qytetarët që votojnë për drejtuesit e komunitetit të tyre. Mbi 150 mijë të rinj votojnë për herë të parë, nga 3166279 shtetas shqiptarë të cilët kanë të drejtë vote.