E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis zbatimi i projektit “Vjosa e Gjelbër”, në fokus zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e biodiversitetit

TIRANË, 21 maj /ATSH/ Ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj zhvilloi sot mbledhjen e parë të Komitetit Drejtues të projektit “Vjosa e Gjelbër – Zhvillim rajonal i gjelbër dhe gjithëpërfshirës në zonën e ujëmbledhësit të Parkut Kombëtar të Vjosës”, një nismë strategjike që synon forcimin e mbrojtjes së natyrës dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm në zonë.

Projekti po zbatohet në bashkëpunim me Qeverinë Federale Gjermane dhe përfaqëson një qasje të integruar që lidh ruajtjen e biodiversitetit me zhvillimin ekonomik lokal dhe përmirësimin e mirëqenies së komuniteteve.

Me një financim prej 3 milionë eurosh dhe me afat zbatimi deri më 31 janar 2029, projekti synon të forcojë menaxhimin e qëndrueshëm të zonës së Parku Kombëtar i Vjosës, si dhe të mbështesë përpjekjet për përfshirjen e saj në rrjetin e rezervave të biosferës së UNESCO-s.

Në fokus të nismës është përfshirja aktive e komuniteteve lokale dhe zhvillimi i ekonomisë së bazuar në natyrë, përmes promovimit të turizmit të qëndrueshëm dhe përdorimit të përgjegjshëm të burimeve natyrore.

Jaupaj theksoi se, projekti “Vjosa e Gjelbër” përfaqëson një model të rëndësishëm bashkëpunimi ndërkombëtar për zhvillim të gjelbër, duke synuar ruajtjen e një prej ekosistemeve më të rëndësishme lumore në Europë dhe forcimin e perspektivës ekonomike të zonës.

1 nga 3

/e.xh/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›