E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis zbrazja e bankave spanjolle

Përderisa shefi i Komisionit Evropian, Juan Manuel Barroso, ka nisur të pajtohet ngadalë me daljen e Greqisë nga Eurozona, kursimtarët spanjoll tashmë po tërheqin me të madhe paratë e tyre nga banka e atjeshme Bankia, e cila u nacionalizua javën e kaluar për shkak të problemeve financiare.

“Eurozona ndodhet në udhëkryq - ose do ta rregullojë situatën brenda vetes, ose do të shpërbëhet”, deklaroi kryeministri britanik, David Cameron, menjëherë pasi që guvernatori i Bankës Qendrore të Britanisë, Mervyn King, pohoi se “Eurozona po e shqyen vetveten” dhe se nuk duket se ka ndonjë zgjidhje të prekshme për këtë gjë. Nga ana tjetër, Bank of England ende nuk e ka paraparë shpërbërjen e Eurozonës, megjithëse po tashmë është përgatitje e sipër të një plani të vetin për këtë skenar.

Gjithnjë e më shumë banka qendrore, por edhe institucione private financiare, po përgatiten për atë që deri para një jave dukej e pamundur, respektivisht, për të cilën gjë nuk flitej fare publikisht. Tani po flitet dhe po dëgjohet, madje edhe nga goja e vetë guvernatorit të Bankës Qendrore Evropiane (ECB), Mario Draghi. Ai tani po thotë se, edhe pse dëshiron që Greqia të mbetet në Eurozonë, ECB’së i duhet të vazhdojë me mbrojtjen e integritetit të vetë.

Frikësohet edhe Obama

Për këtë arsye Banka Qendrore Evropiane ka ndërprerë financimin e disa bankave greke, duke ia lënë këtë punë në dorë Bankës Qendrore Greke. Meqë grekët e frikësuar për çdo ditë po tërheqin eurot e tyre nga bankat greke, dhe ato euro në fund po përfundojnë në ECB, një vendim i tillë i ECB’së ka gjasë ta përshpejtojë “shterjen financiare” të Greqisë dhe afrimin e saj drejt pikës nga e cila më nuk ka kthim. Është kjo pika kur shtetit grek do t’i duhet ta braktisë euron dhe ta rikthejë ish-valutën e saj kombëtare. Pas porosive kaq të fuqishme nga dy banka të mëdha qendrore – e Britanisë dhe e Evropës – mundësia e daljes ose e dëbimit të Greqisë nga Eurozona ka filluar të duket një opsion gjithnjë e më real.

Bazuar në një raport nga takimi i fundit, që u publikua të hënën mbrëma, del se edhe Banka Qendrore Amerikane, gjegjësisht Rezerva Federale (FED), po përgatitet për këtë mundësi. Edhe pse takimi në fjalë ishte mbajtur në fund të muajit prill, pra disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve greke, të cilat edhe e iniciuan ortekun e pasigurisë, shumica e anëtarëve të FED vendosën që të jenë të përgatitur nëse situata në Eurozonë përkeqësohet, dhe të lënë të hapur mundësinë e intervenimit brenda politikës monetare të vendit, gjegjësisht atë të blerjes së një sasie më të madhe obligacioneve, për të ruajtur kështu shpenzimet e ulëta të huamarrjes për kompanitë amerikane.

Në këtë mënyrë, amerikanët dëshirojnë që të mbrojnë maksimalisht tregun e tyre nga përhapja e ‘infeksionit’ të shkaktuar nga dalja e mundshme e Greqisë nga Eurozona.

Presidenti Obama gjithashtu ka frikë se një sulm i fuqishëm i krizës greke ndaj ekonomisë amerikane do të mund të vinte në pikëpyetje edhe vetë gjasat për rizgjedhjen e tij në postin presidencial.

Po qe se dalja e Greqisë nga Eurozona do të pasohej me trazira, sikurse që e parasheh shefja e FMN’së, Christine Lagarde, kjo gjë atëherë do të ndikonte edhe në ekonominë globale.

Model i njëjtë si ai i vitit 2008

“Kriza momentale po zhvillohet sipas modelit krejtësisht të njëjtë me atë të krizës së mëparshme financiare (pak para rënies së Lehman Brothers, në vitin 2008). Kemi pra paaftësinë, ose mosgatishmërinë që të shihen shenjat paralajmëruese, dhe që të veprohet në mënyrë preventive. Kështu që, pas kësaj do të pasojë një dëm i madh”, pohon Esther L. George, kryesuese e Federal Reserve Bank of Kansas City.

Dhe, përderisa shefi i Komisionit Evropian, Juan Manuel Barroso, ka nisur të pajtohet ngadalë me daljen e Greqisë nga Eurozona, kursimtarët tashmë po tërheqin me të madhe paratë e tyre edhe nga banka spanjolle Bankia, e cila u nacionalizua javën e kaluar për shkak të problemeve financiare. Gazeta spanjolle ‘El Mundo’ ka publikuar se vetëm brenda një jave nga kjo bankë janë tërhequr afro një miliardë euro. Ky lajm rezultoi menjëherë me një rënie të madhe të aksioneve të Bankia, ndërkohë që zyrtarët e saj po mundoheshin të zbusnin panikun, duke u thënë klientëve se të gjitha llogaritë e tyre të kursimeve janë të sigurta.

Moody’s zhvlerëson 16 banka spanjolle

Agjencia e vlerësimeve, Moody’s, ka njoftuar të premten se zhvlerësuar 16 banka spanjolle, për shkak të efekteve të recesionit të vazhdueshëm në Spanjë dhe dyshimit se qeveria spanjolle mund të bëjë diçka më tepër në mbështetjen e bankave vendore.

Zhvlerësimet u bënë pas raporteve për tërheqje të mëdha të depozitave nga banka Bankia.

Zhvlerësimi i 16 bankave spanjolle krijon edhe një presion shtesë ndaj euros, që po vazhdon të humb vlerën si pasojë e krizës ekonomike dhe politike në Greqi.

Nisin përgatitjen për shtypjen e valutës greke

Kompania britanike De La Rue, që merret me shtypjen e parave, ka hartuar një plan urgjent për shtypjen e valutës së dikurshme greke drahma, nëse Greqia del nga Eurozona dhe nëse e kërkon këtë shërbim nga kompania, njoftoi të premten agjencia Reuters.

Lajmi u bë i ditur në ditën kur komisionari i BE’së për Tregti, Karl De Gucht, deklaroi se Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane po punojnë në një skenar urgjent, nëse Greqia del nga Eurozona. Është kjo deklarata e para e këtij lloji nga një zyrtar i lartë i BE’së.

Janë zgjedhjet e 17 qershorit në Greqi ato që do të vendosin për fatin e saj në Eurozonë dhe për vetë fatin e valutës euros – sepse rezultati i këtyre zgjedhjeve do të ndikojë edhe në shtrirjen e krizës financiare përtej kufijve grekë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›