E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis Botërori, Afrikee Jugut-Meksikepërfundon barazim

JOHANESBURG- 
Ora: 18:21- Përfundon barazim takimi i parë i Botërorit 
Ka përfunduar me rezultat të barabartë 1-1 ndeshja e parë e futbollit e vlefshme për kampionatin botëror të futbollit Afrika e Jugut 2010. Takimi mes Afrikës së Jugut, vendit organizator të kompeticionit dhe Meksikës, është ndarë në barazim.

Ndeshja e vlefshme për grupin A, ku ndodhen edhe Franca e Uruguaj, është zhvilluar në “Soçer Stadium” në Johanesburg. Të parët që kaluan në avantazh ishin afrikanët me anë të Tshabalala në minutën e 10-të të pjesës së dytë të ndeshjes. Më pas Meksika barazoi rezultatin në 1-1 me anë të Marquez. 

Nis Botërori i 19-të, në tribunë 20  kryetarë shtetesh
Në Johanesburg të Afrikës së Jugut i është dhënë starti Botërorit të 19-të të futbollit, me ceremoninë hapëse prej më shumë se gjysmë ore. Vdekja e stërmbesës së Mandelës nuk mund të ndalonte shoun për evenimentin më të madh futbollistik në botë, ndërsa mijëra njerëz kanë qëndruar gjithë ditën jashtë stadiumit në pritje të festës. 

1500 artistë performuan në fushën e impiantit “Soccer City”, ndërsa në tribunë ishin 20 kryetarë shtetesh. Mungoi Nelson Mandela, megjithatë në stadium u shfaq zëri i tij si një mirëseardhje për 32 skuadrat pjesëmarrëse. Ndërkohë sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun e ndoqi ceremoninë në krah të presidentit të Afrikës së Jugut Jakob Zuma dhe atij të FIFA-s Sep Blater. Mes të ftuarve ishte presidenti i Meksikës Felipe Kalderon, zëvendës presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xho Bajden me bashkëshorten e tij Xhill, por edhe krerët e shteteve afrikave si Zimbabve apo Kenia. 

Ceremonia e hapjes ishte një spektakël me ngjyra kryesisht afrikane, teksa këngëtarë si Shakira, Khaled apo Femi Kuti kanë ngritur peshë 60 mijë të pranishmit në stadium. Nuk munguan persona VIP të botës së modës, spektaklit, artistë të Hollivudit apo personazhe të tjerë të famshëm. Në fushën e stadiumit u krijuan animacione të shumëllojshme, për të treguar shpirtin e popullit afrikan, por edhe të kulturave të ndryshme që ka ky vend. Ceremonia e hapjes zgjati gati 40 minuta, për t’ia lënë më pas vendin ndeshjes së parë të Botërorit, Afrikë e Jugut-Meksikë. Ajo shënoi çeljen e kampionatit të 19-të botëror të futbollit, që do të zhvillohet në datat 11 qershor deri më 11 korrik.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb) Lidhje te tjera Botërori, sot Afrikë e Jugut-Meksikë, Francë-Uruguaj

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›