Nisen kamionë e helikopterë me ndihma për të izoluarit
Përkeqësohet moti në veri të vendit. Reshje të dendura dëbore kanë nisur në orët e para të mëngjesit në Pukë, Has, Tropojë dhe Kukës duke vështirësuar situatën në këto zona. Një nënë shtatzënë nga fshati Lejthizë e Tropojës është transportuar sot me helikopter drejt Tiranës për të lindur fëmijën e saj.
Ndërkohë kamionë me ndihma janë nisur sot nga rezerva e shtetit për në zonat e izoluata nga dëbora të cilat kanë nevojë urgjente për ushqime. Drejtori i rezervave materiale të shtetit, Hysen Arapi ka njoftuar se janë në pritje të kërkesave të komunave, për t`iu gjendur pranë në çdo rrethanë e për plotësimin e nevojave që mund të kenë në kushtet e izolimit nga bora.
Drejt Pukës janë nisur dy kamionë me 300 pako ushqime, për t`iu shpërndarë banorëve që e kanë të pamundur lëvizjen, e që kanë bllokuar në banesat e tyre.
Sipas informacioneve shumë komuna të qarkut të Dibrës mbeten ende të izoluara nga dëbora e dendur. Mësohet se disa nga akset rrugore janë të pakalueshëm ndërsa në disa akse të tjera qarkullimi i automjeteve bëhet vetëm me zinxhirë.
Ndërkohë si probleme të shumta ka edhe në qarkun e Korçës si pasojë e erërave të forta dhe stuhisë që ka përfshirë këtë zonë gjatë natës. Mësohet se aksi rrugor Korçë-Dardhë është i bllokuar nga dëbora ndërsa akset Korçë-Ersekë dhe Ersekë-Leskovik qarkullimi i automjeteve bëhet vetëm nëpërmjet zinxhirëve.