Brukseli : Komitet të posaçëm për Shqipërinë
Rompuy, Berishës: BE, vlerësim korrekt për vizat. Presidenti i BE-së: Së shpejti do të vij në Shqipëri
Kryeministri Sali Berisha premtoi dje nga Brukseli se do të bëjë çështë e mundur për të gjetur konsensusin me opozitën për reformën e re zgjedhore. Në krah të Presidentit të Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy, me të cilin pati një konferencë të përbashkët për shtyp, kreu i qeverisë, Berisha, garantoi se do të realizohen të gjitha reformat e tjera, që Unioni kërkon për të pranuar Shqipërinë. Gjatë takimit që pati me Presidentin e BE-së, Berisha e informoi atë për reformat dhe situatën politike në Shqipëri. Berisha e siguroi z. Rompuy se qeveria e tij do të bëjë çështë e mundur, do të ndërmarrë çdo reformë, do të miratojë çdo ligj për të bërë të mundur integrimin e Shqipërisë në BE. Gjithashtu, do të bëjmë çdo përpjekje për të bashkëpunuar me opozitën. Jemi gati për të gjetur konsensus për reformën zgjedhore, - tha Berisha. Pata kënaqësinë e madhe të diskutoj dhe ti prezantoj Presidentit Van Rompuy të gjitha përpjekjet e Shqipërisë për tu afruar më shumë me BE-në. Berisha vlerësoi momentin e vajtjes në Bruksel duke thënë: Erdha këtu në një moment shumë të rëndësishëm për të sjellë librin e përgjigjeve të pyetësorit të Shqipërisë nga Komisioni Evropian. Gjithashtu, e informova Presidentin për të gjitha reformat, përpjekjet e Shqipërisë për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin, reformat ekonomike, duke përfshirë situatën politike në vendin tim. Më tej Kryeministri shtoi: E sigurova Presidentin se qeveria ime dhe unë vetë do të bëjmë më të mirën, do të ndërmarrim çdo reformë, do të miratojmë çdo ligj, në mënyrë që Shqipëria të ecë drejt integrimit në BE. Dhe gjithashtu do të bëjmë çdo përpjekje për të punuar së bashku me opozitën shqiptare. Jemi të gatshëm të bëjmë të gjitha lëshimet në kuadrin e reformës zgjedhore. Kam një lajm shumë të mirë për shqiptarët, që do të jepet nga Presidenti. Presidenti Van Rompuy më premtoi se do të vizitojë Shqipërinë dhe do të jetë një vizitë shumë historike. Nga ana e tij, Presidenti i Bashkimit Evropian iu drejtua Berishës: Ju mirëpres në këtë ndërtesë të Këshillit të Bashkimit Evropian. Kryeministri Berisha përfaqëson një vend që e ka bërë në mënyrë shumë të qartë vizionin dhe ambicien e tij politike. Do të doja ta përdorja këtë mundësi gjithashtu të ripërsërisja angazhimin tim të fortë për perspektivën e integrimit të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri më informoi për dorëzimin pranë Komisionit të përgjigjeve të Shqipërisë të pyetësorit, pas aplikimit për tu bashkuar me BE-në. Ky është një dokument historik për vendin tuaj. Ai bëri të qartë se politika në Shqipëri po monitorohet. Teksa u diskutua mes tyre për situatën politike në Shqipëri, z. Rompuy theksoi se vitin që kaloi, Shqipëria zhvilloi zgjedhjet e përgjithshme që ishin një test kyç për demokracinë dhe progresin në rrugën e anëtarësimit në BE. Van Rompuy njoftoi gjithashtu se së shpejti do të nisë turin në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ndër to edhe Shqipërinë. Presidenti Van Rompuy theksoi ndër të tjera se ai e ndjek me vëmendje situatën në vendin tonë, ndërsa dorëzimin e përgjigjeve të pyetësorit ai e konsideroi si një moment historik për Shqipërinë. Presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy, deklaroi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. I kam thënë Kryeministrit Berisha se do të bëj një tur në të gjitha kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor dhe do të jetë hera e parë që do të vizitoj dhe vendin tuaj të bukur, - theksoi Presidenti i BE-së. Sipas tij, stabiliteti i vendit, si në situatën politike, por dhe në atë ekonomike dhe më gjerë, janë të domosdoshme për integrimin e vendit në BE. Në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave, Van Rompuy theksoi se KE do të bëjë vlerësim korrekt për këtë çështje. Ne diskutuam shkurtimisht liberalizimin e vizave dhe unë e kuptoj rëndësinë e lidhur me të dhe jam i bindur që Komisioni pa dyshim do të bëjë një vlerësim të plotë dhe objektiv dhe do të veprojë në përputhje me të. Diskutuam çështjen e qëndrueshmërisë dhe bashkëpunimit rajonal, do të doja të pranoja kontributin konstruktiv të Shqipërisë në stabilitetin e rajonit dhe në sfidat e sigurisë së rajonit. Më lejoni ti uroj vendit tuaj suksese të vazhdueshme, ndërsa ai ecën përgjatë rrugës së tij drejt Bashkimit Evropian dhe i thashë Kryeministrit se për herë të parë në jetën time, tashmë 62 vjeç, do të bëj një tur të kryeqyteteve të Ballkanit Perëndimor dhe do të vizitoj vendin tuaj të dashur dhe ju do të jeni aq i sjellshëm që të më prisni, - përfundoi Presidenti i BE-së.