Seanca, pas Ballës byroja pezullon Lefter Maliqin
Socialistët protestuan në shkallët e Parlamentit për vendimin ndaj Ballës
Seanca e djeshme plenare është mbyllur me mbledhjen e byrosë parlamentare, e cila vendosi përjashtimin për 13 ditë të deputetit demokrat, Lefter Maliqi, për shkak të shkeljes së etikës parlamentare. Ndërkohë që punimet e seancës së djeshme plenare nisën me protestën e deputetëve socialistë në shkallët e Parlamentit kundër përjashtimit një javë më parë nga byroja parlamentare të deputetit Taulant Balla dhe paralajmërimit për deputetin tjetër socialist, Saimir Tahiri. Por byroja parlamentare ashtu si dhe një javë më parë në zbatim të nenit 65 të Rregullores së Kuvendit vendosi pezullimin edhe të deputetit demokrat Maliqi, i cili kritikoi dhe përdori fjalë joetike lidhur me deputetët e opozitës që protestuan. Socialistët qëndruan për minuta me radhë në shkallët e Parlamentit, duke protestuar për vendimin e byrosë parlamentare.
Vendimi
Byroja e Kuvendit në mbështetje të nenit 65 të Rregullores së Kuvendit vendosi përjashtimin e deputetit Lefter Maliqi, për një periudhë 13-ditore nga punimet e seancës plenare dhe të komisioneve parlamentare, për thyerje të etikës, - thuhet në vendimin e marrë dje prej saj. Deputeti demokrat Lefter Maliqi gjatë fjalës së tij në Parlament përdori fjalë fyese ndaj deputetëve socialistë. Sipas tij, në krye të deputetëve të PS-së ishin tre figura të urryera tashmë jo vetëm për popullin shqiptar, por dhe për socialistët e ndershëm, duke filluar që nga Ruçi, Balla dhe Braçe. Bëjnë protestë për Ballën. E kam dëgjuar në Parlament, ai kërkon fjalën e lirë, por vetëm për të nuk flet. Ai ka kërkuar gjatë gjithë kohës gjëra të tjera, por nuk ia ka arritur dhe nuk ka për ti arritur. Ai duhet tiu tregojë shqiptarëve pse bredh rrugëve të Turqisë. I dyti Ruçi, në Greqi disa njerëz shqiptarë më thanë se kemi parë në 96 apo në 97 një zonjë që ishte Ruçi me fustan, që ishte plaka, - deklaroi Maliqi. Pas këtij komenti, Topalli e paralajmëroi deputetin demokrat. Maliqi vijoi duke e quajtur Braçen xhepist, që në 96 e goditën qytetarët. Pas këtij fjaloi të deputetit demokrat, kryeparlamentarja i ndërpreu fjalën dhe paralajmëroi mbledhjen e byrosë parlamentare. Ndërsa kreu i deputetëve demokratë, Astrit Patozi, tha se përjashtimi i Taulant Ballës ishte një pretekst për të rinisur bojkotin. "Mungesa e kolegëve socialistë sot në këtë sallë shkon përtej dhimbjes për ndëshkimin dyjavor të Taulant Ballës. Ajo ka në thelb shmangien e një debati të paevitueshëm për vlerën e vërtetë që ka për Shqipërinë evenimenti i djeshëm, si dhe për tonet optimiste që vijnë nga partnerët tanë evropianë. Jashtë çdo lloj kompleksi, Kryeministri i vendit deklaroi dje në Bruksel, se në përgjigjet e pyetësorit janë 19 vjet përpjekje dhe arritje të Shqipërisë, - tha Astrit Patozi, kryetar i grupit parlamentar të PD-së. Ndërkohë që deputetët socialistë mbyllën gojën para derës së Parlamentit dhe mbajtën një minutë heshtje në protestë për fjalën e lirë brenda në sallën e Kuvendit. Ne e quajmë dënimin e kolegëve tanë një dënim politik, që i bëhet fjalës së lirë të opozitës. Ja pse ne do jemi në datën 30 prill në shëtitoren e kryeqytetit për të demonstruar me gjithë popullin opozitar. Më lejoni që të ftoj të gjithë kolegët deputetë socialistë, që të mbajnë një minutë heshtje për fjalën e lirë, të ndaluar nga kjo mazhorancë ilegjitime, - u shpreh Gramoz Ruçi, kryetar i grupit parlamentar të PS-së.