E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani, Barroso: Mos kurseni asgjë për reformat

Sinjale pozitive por dhe apel për konsumim të të gjitha energjive për statusin kandidat vijnë nga Brukseli. Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, është shprehur besimplotë se Shqipëria dhe shqiptarët do ta përmbyllin mes sukses sfidën për marrjen e statusit kandidat, ndërsa ka theksuar se s`duhet kursyer asnjë lëvizje dhe asnjë përpjekje në përmbushjen e këtij qëllimi.
 

“Diskutuam cështjet kyce dhe hapat që do ketë më tej Shqipëria. Jam plot besim se Shqipëria dhe shqiptarët do tregojnë determinimin për të shkuar drejt kësaj rruge. Nxis aktorët politikë të mbajnë konsensus për realizimin e reformave. Nuk duhen kursyer asnjë lëvizje dhe asnjë përpjekje për të përbushur reformat, për të luftuar korrupsionin” deklaroi Barroso.
 

Numri një i KE, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin Bujar Nishani, ka shtuar më tej se progresi me të vërtetë po ndodh, madje Shqipëria e do me të vërtetë BE, “është në duart tuaja për të bërë cfarëdo është e nevojshme për ta cuar përpara këtë inisiativë, KE do t`ju mbështesë në këtë drejtim” përfundoi kreu i KE-së.
 

Nga ana tjetër Presidenti Nishani ka siguruar Barroson se shumë shpejt dhe Shqipëria do të jetë pjesë e bashkësisë europiane, ndërsa bëri dhe një panoramë të ecurisë së 12 prioriteteve në vend, duke vlerësuar kalimin e kodit zgjedhor, emërimin e Avokatit të Popullit, luftën kundër korrupsionit etj.

“Së shpejti KE dhe presidenti Barroso do të kenë dhe Shqipërinë mes tyre. Përmenda arritjet në drejtim të reformave, si kodin zgjedhor i miratuar me konsensus, Avokati i Popullit, rishikimi i reformës parlamentare, rezultate konkrete sa i përket luftës kundër krimit, luftën kundër korrupsioni. Do të kontribuoj për të siguruar shpirtin e bashkëpunimit mes partive” u shpreh Nishani.
 

Presidenti Nishani tha gjithashtu se diskutoi me zotin Barroso dhe lidhur me progresin e korporatave rajonale, duke vlerësuar se përpjekjet e Shqipërisë kanë luajtur një rol të madh në këtë stabilitet dhe do të vazhdojë të punojë për një fqinjësi të mire, paqen dhe stabilitetin në rajon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›