E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi takon Kryetaren e Parlamentit të Austrisë

Në takimin me Kryetaren e Parlamentit të Austrisë, zonjën Barbara Prammer, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, njëkohësisht Kryetar i Asamblesë Kombëtare të PS-së, zoti Gramoz Ruçi duke nënvizuar marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes vendeve tona, shprehu falenderimet për kontributin e Austrisë në proceset integruese të vendit tonë dhe mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha fushat.
 

Gjithashtu, Ruçi përcolli përshëndetjet e Kryetarit Edi Rama, i cili ndodhet për një vizitë pune jashtë vendit. Ndër të tjera, zoti Ruçi shprehu kënaqësinë për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike dhe rritjen e prezencës së biznesit austriak në Shqipëri, sidomos në sektorin bankar, në infrastrukturë, si dhe zbatimin e programeve të asistencës.
 

Ruçi pasi vuri në dukje rolin pozitiv që ka luajtur opozita në Shqipëri për miratimin e ligjeve me 3/5 në shërbimin të përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga rekomandimet e Komisionit Evropian për marrjen e statusit kandidat, renditi një sërë problemesh me të cilat ndeshet jeta parlamentare dhe demokracia në Shqipëri, si: miratimi në mënyrë të njëanshme të Rregullores së Parlamentit, rrënjosja e kulturës së pandëshkueshmërisë, lufta e munguar kundër korrupsionit dhe rritja e kriminalitetit në vend. Në këto kushte, zoti Ruçi e vuri theksin tek domosdoshmëria e reformës së gjyqësorit, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithshme, etj, për të cilën opozita ka paraqitur një paketë ndryshimesh kushtetuese.
 

Kryetarja e Parlamentit të Austrisë, Barbara Prammer, rikonfirmoi angazhimin e Austrisë për avancimin e axhendës europiane të Shqipërisë dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. Kryetarja e Parlamentit të Austrisë shprehu vullnetin për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona dhe e vuri theksin tek rëndësia e funksionimit të demokracisë parlamentare.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›