E Enjte, 5 Nëntor 2026

Nishani: Basha ka nisur fillimin e fundit të tij politik

Kryetari i Këshillit Kombëtar Bujar Nishani ka sulmuar sot ashpër kreun e PD Lulzim Bashën duke theksuar se me mbledhjet e mbrëmshme, Basha ka nisur fillimin e fundit të tij politik. “Dje ishte një ditë shumë e rëndësishme për Partinë Demokratike, por pa e tepruar edhe për Shqipërinë! Për Partinë Demokratike, pasi ishte rasti të shprehej vullneti, skicohej platforma dhe krijohej hapësira për të nisur një proces të vërtetë reformimi, ri ngritje, bashkimi, forcimi me synim kryesor kthimin e besimit të shumicës së shqiptarëve tek Partia Demokratike”, tha Nishani.

“Për Shqipërinë, sepse është domosdoshmëri ekzistenca e alternativës qeverisëse ndaj një qeverie e cila pas 8 (tetë) vitesh dështimesh, korrupsioni, skandalesh, shkatërrimi institucionesh do vijojë të bëhet edhe më arrogante, më e korruptuar, më e dhunshme, më mospërfillëse, më tradhtare ! Por për fatin e keq të Partisë Demokratike dhe Shqipërisë, lidershipi aktual e posaçërisht L. Basha pasi dështuan ta ngrenë PD në parti të parë e fituese para 25 prillit tani nisën çmontimin e çdo vlere, trashëgimie pozitive, mundësie ri ngritje dhe transformimi qytetar të Partisë Demokratike!”, theksoi Nishani.

“Dje, L. Basha përtej retorikës tallëse e të gënjeshtërt ndaj demokratëve, konfirmoi se në shtator do të hyjë në Parlament, çka konfirmon kthimin e PD në një fasadë të masakrës elektorale. L. Bashës i intereson veç vula dhe karrigia e vulëmbajtësit dhe aspak fare, halli, vuajtjet, sakrificat e mijëra demokratëve apo kolapsi i shtetit të shqiptarëve. Deri dje, L. Basha, ankohej pse kritikët nuk prisnin përfundimin e ankimimeve, hetimeve të kasaphanës, por vetë nuk priti as të dëgjojë zërin e demokratëve të bazës, të shqiptarëve të thjeshtë se çfarë mendojnë ata e në mesnatë shpalli farsën e radhës për vulën dhe karrigen e vulëmbajtësit të Partisë Demokratike, pa mbaruar as afatet e përmbylljes së ankimeve që ka bërë po vetë”, u shpreh ai.

“Shërbim më të denjë ndaj masakruesit të zgjedhjeve, dhunuesit të demokratëve, shkatërruesit të Shqipërisë, që është Edi Rama, nuk mund të ketë. Tashmë misioni i vërtetë i L. Bashës po kuptohet e qartësohet çdo ditë e më mirë. Nuk ka asnjë merak për të respektuar sakrificat e demokratëve, asnjë dëshirë për fitoren e PD, asnjë synim për të ndihmuar e shpëtuar Shqipërinë”, theksoi Nishani.

“Një kryetar i cili merr vendime në një sallë me më pak se 100 (njëqind) persona të pranishëm, ku domosdoshmërisht duhet të jenë mbi 200 (dyqind) të tillë, Një kryetar që përcakton për konkurruesit e tjerë vetëm 16 (gjashtëmbëdhjetë) ditë për të bërë fushatë në 60 (gjashtëdhjetë) degë, qartëson fare mirë qëllimin e vërtetë ! Qëllimi është Vula dhe Karrigia e vulëmbajtësit e jo rritja e Partisë Demokratike, as zhvillimi i  Demokracisë si vlerë e jo e jo sakrifica e puna për të ndryshuar Shqipërinë !”, u shpreh ai.

“Në të vërtetë kjo që nisi dje është fillimi i fundit politik të L. Bashës dhe platformës së asgjësimit të Partisë Demokratike! Nga dje ka nisur një përgjegjësi dhe detyrë historike për Demokratët anekënd Shqipërisë”, përfundoi Nishani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›