E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani: Berisha, kontribut thelbësor në ndërmarrjen e reformave të mëdha për vendin

10-09-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha dorëzon detyrën. Presidenti Nishani vlerëson arritjet e 8 –viteve qeverisje

Kryeministri Berisha ka dorëzuar dorëheqjen si kryetar i ekzekutivit shqiptar, pranë Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Në këtë mënyrë, Berisha i ka hapur formalisht rrugë krijimit të qeverisë së re

Zyrtarisht dorëheqjen e konfirmoi dhe institucioni i Presidentit me anë të një njoftimi zyrtar të shoqëruar me foto ku shfaqeshin presidenti Nishani dhe kryeministri Berisha duke shtrënguar duart dhe më pas të ulur përballë njëri-tjetrit. “Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti dje në një takim Kryeministrin në detyrë, Sali Berisha, i cili dorëzoi detyrën e Kreut të Ekzekutivit, për t`i hapur formalisht rrugën krijimit të Qeverisë së re”. Presidenca njofton se Nishani e falënderoi Berishën për bashkëpunimin e frytshëm institucional si dhe vlerësoi kontributin personal në qeverisje e politikë.  “Presidenti Nishani, pasi e falënderoi Kryeministrin në detyrë Sali Berisha për bashkëpunimin e frytshëm institucional dhe njerëzor, vlerësoi rolin politik dhe kontributin personal të zotit Berisha dhe të Qeverive që ka kryesuar në ndërmarrjen e reformave institucionale, politike dhe ekonomike. Në arritje të tilla si anëtarësimi i vendit në NATO, pavarësinë e Kosovës dhe shtimin e njohjeve të saj, liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, realizimin e projektit TAP, investimet në infrastrukturë, etj, sipas Presidentit Nishani “roli dhe kontributi institucional dhe personal i Kryeministrit dhe politikanit Berisha kanë qenë domethënës”, citon njoftimi për shtyp. Sipas të njëjtit burim dhe Kryeministri në detyrë Sali Berisha shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin dhe rolin institucional të Presidentit Nishani.

Dorëheqja e kryeministrit: Akt në respekt të Kushtetutës dhe ligjeve

Pas dy mandatesh 4 vjeçare të plota në krye të qeverisë Sali Berisha largohet si kryeministër. Pas mbledhjes së grupit të PD, Berisha iu drejtua Presidencës  ku dha zyrtarisht dorëheqjen si kryetar qeverie. Ky akt i hap rrugën  ardhjes në pushtet të qeverisë ‘Rama’ e zgjedhur me votë nga zgjedhjet e 23 Qershorit.  Berisha i dorëzoi dje rreth orës 13:10 minuta presidentit Nishani, dorëheqjen nga posti që mban prej 8 vitesh dhe ky zhvillim ndodh vetëm pak orë para fillimit të seancës së parë të legjislaturës së re. Takimi mes tyre zgjati rreth 20 minuta. Nga ana e tij, kreu i shtetit ka afat 10 ditor për të dekretuar qeverinë e re “Rama”. Kreu i shtetit, Bujar Nishani, u shpreh para pak ditësh gjatë një emisioni televiziv se “me të ardhur propozimi brenda datës 10 shtator mund të dekretohet kryeministri i ri”. Sali Berisha, ka komentuar dorëheqjen e tij nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook. Sipas tij, dorëheqja është në respekt të Kushtetutës dhe ligjeve dhe vjen në përfundim të një mandate 4-vjeçar.  “Të dashur miq, sot (dje) pasdite në respekt të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, mbas formimit të një mazhorance të re nga rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit dhe në përfundim të mandatit 4 vjeçar shtator 2009 - shtator 2013, i paraqita Presidentit të Republikës z. Bujar Nishani dorëheqjen time dhe të Këshillit të Ministrave që unë kam drejtuar gjatë këtij mandati”, thotë ai. Më tej Berisha shton, “Falenderova Presidentin Nishani për bashkëpunimin e shkëlqyer që ne kemi patur”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›