Basha: Mazhoranca po tregon mungesë transparence, duam kohë për programin
Kreu i PD, Basha mbledh grupin parlamentar demokrat, kundër mbajtjes së seancës ditën e sotme
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike kërkon kohë të njihet me programin e qeverisë së re dhe për këtë arsye është kundër mbledhjes ditën e mërkurë të seancës kuvendore. Në një prononcim për mediat, kreu i PD-së Lulzim Basha akuzoi mazhorancën se nuk po tregohet transparente ndaj qytetarëve dhe opozitës duke shtuar se kjo e fundit po përballet me një mendësi të vjetër komunikimi. “Sot duhej ishte një ditë e veçantë për qytetarët shqiptarë. Nis një legjislatirë e re dhe fillon konstituimi i Parlamentit, por akoma pa u përmbyllur procedura e konstituimit të Parlamentit qytetarët shqiptarë dhe opozita e tyre në Parlament, po përballen me një mendësi të vjetër, me një kulturë të vjetër komunikimi, me një tentativë për të shkelur parimet e sapo premtuara të transparencës ndaj qytetarëve shqiptarë të gjithëpërfshirës në çdo debat, duke nisur me shkelmimin e praktikave parlamentare për debatin më fillestar, për gjenezën e çdo legjislature dhe çdo qeverisje që buron nga legjislatura, atë të konstituimit të qeverisë. Kjo është mazhoranca e cila në opozitë ka kërkuar dhe ka marrë deri në 10 ditë për çështje të tilla si takometrat, aparate mat, dhe që sot i mohon qytetarëve shqiptarë të drejtën e tyre kushtetuese dhe legjitime për të dëgjuar një debat, një rrahje mendimesh midis të zgjedhurve të tyre, mbi çfarë ata propozojnë se do të jetë qeverisja e tyre dhe çfarë të zgjedhurit e opozitës shqiptare kanë për të pyetur dhe parashtruar në raport me këtë program. Sepse nuk ka asnjë shpjegim tjetër se si në mënyrë absurde ata që kanë marrë me javë të tëra vendime shumë më të thjeshta të ligjeve apo të Parlamentit në tërësi, sot janë të pagatshëm dhe i mohojnë opozitës kohën më minimale që ka qenë praktikë në çdo legjislaturë për tu njohur me programin e qeverisë i cili deri në këto moment mbetet një mister i madh”- u shpreh Basha. Kreu i PD i ka bërë thirrje kryetarit të ri të Kuvendit, Ilir Meta që të mbajë fjalët që tha në Kuvend për transparencë dhe zbatim të rregullores. “I bëj thirrje kryetarit të ri të Kuvendit, t’i qëndrojë besnik fjalëve që sapo tha. Fjalë që akoma nuk ja ka lënë eterin aolës së Kuvendit dhe të rivendosë, nëse jo një standard të ri, të përmirësuar sikundër premtoi, të paktën standardin e premtuar deri tani duke i dhënë kohën e nevojshme Parlamentit dhe opozitës për t’u njohur me programin dhe për të përgatitur një debat dinjitoz dhe transparent mbi programin e paraqitur.
Në të kundërt kjo situatë është e papranueshme dhe ne do të marrim të gjitha masat që na takojnë si përfaqësues të denjë të opozitës shqiptare në Kuvendin e Shqipërisë dhe si mbrojtëse e virtyteve thelbësore të opozitës që janë transparenca dhe llogaridhënia”- theksoi Basha.