Nishani: Brenda 10 ditësh, qytetarët me letërnjoftimin e ri

>Një ndër temat më të nxehta të zhvillimeve politike ditët e sotme është e lidhur ngushtë me zgjedhjet e 28 qershorit. Një risi e këtyre zgjedhjeve është edhe pajisja e qytetarëve me karta identiteti, proces ky që ka filluar tashmë. Zhvillimet e fundit që lidhen ngushtë me këto karta kanë qenë pjesë e një debati televiziv ku i ftuar special ka qenë ministri i brendshëm Bujar Nishani, i cili ka sqaruar në mënyrë të detajuar procesin e deritanishëm të këtyre kartave, duke e cilësuar atë të suksesshëm kur merren parasysh vështirësitë që ka në vetvete ky proces dhe moseksperienca e mëparshme lidhur me 25 specifikimet e tij.
Ministri Nishani ka deklaruar se ditën e hënë fillon procesi i prodhimit, dhe brenda 10 ditësh të gjithë ata qytetarë që kanë aplikuar do të kenë letërnjoftimin në dorë. "Kemi filluar me procesin e aplikimeve dhe ditën e hënë fillon shpërndarja, kapacitetet e prodhimit varijojnë nga 15 deri në 20 mijë karta në vit. Deri në fund të qershorit do të pajisim të gjithë shtetasit me karta". Sipas ministrit Nishani deri më tani janë prodhuar fizikisht të gjitha letërnjoftimet në Hamburg dhe ndodhen në Shqipëri, ku pritet të bëhet personalizimi në mënyrë elektronike, me gdhendje lazer. Ky proces kërkon disa parametra, dhe ministri i brendshëm thekson se situata është nën kontroll. Në lidhje me listën e votuesve, e cila duhet të ishte bërë prezent këto ditë, ministri është shprehur se kjo listë është e gatshme, dhe se çdo komunë dhe çdo bashki do të printoj vet listën e zgjedhësve, por ajo nuk është shpërndarë për shkak të ekzistencës së 50 mijë dublimeve që janë vërejtur gjatë regjistrimit elektronik, që ministri e ka cilësuar një tjetër arritje të suksesshme të qeverisë shqiptare. "Kam shpërndarë një udhëzim të ministrit që detyron të gjitha komunat e bashkitë që deri në shkurt të dërgoj në çdo shtëpi një njoftim për të gjithë ata shtetas shqiptar që janë pa pasaportë dhe deri në fund të prillit kemi parashikuar që këta qytetarë, të pajisen edhe pasaportë". Ministri ka sqaruar edhe procedurën e fshirjes së këtyre dublimeve. "Regjistri elektronik identifikon dhe fshin këto dublime dhe brenda javës që vjen do të kemi listë paraprake që mund të ketë nevojë për kolaudim, por do të jetë e pastruar nga të gjitha dublimet. Gjatë këtyre tre viteve kemi punuar me komunat e bashkitë për pastrimin e regjistrit në mënyrë elektronike, dhe hedhjen e të dhënave nga librat e gjendjeve në sistemin elektronik dhe kemi arritur të bëjmë pastrime. Për pastrimin e këtyre 50 mijë dublimeve duhet një javë sepse softueri përkatës duhet të përdoret nga persona që duhet të trajnohen për të punuar, fshirja do të bëhet nëpër komunat e bashkitë ku janë vërejtur këto dublime dhe do të jepet udhëzuesi, urdhri i ministrit për të kryer fshirjen e këtyre dublimeve. Dhënia e komandës dhe fshirja brenda 24 orëve". Edhe në rastin e votimit me pasaporta, ministri garanton siguri sepse sipas tij ato janë të identifikueshme dhe çdo tentativë për falsifikim është e demaskueshme. Pyetjes lidhur me pasaportat biometrike në rrethe, ministri i brendshëm është përgjigjur se duke filluar nga datat 2-3 shkurt, do të filloj aplikimi në të gjitha rrethet. Fillimisht ky aplikim do të fillojë në bashkitë më të mëdha. Ministri ka sqaruar edhe mënyrën e pajisjes së emigrantëve me letërnjoftimeve ku sipas tij thuhet se nuk ka shtrëngesa dhe ata do të pajisen me letërnjoftime në çdo moment që do të vijnë në Shqipëri kur të kenë mundësinë, dhe do të përdoren kapacitete të veçanta në muajit e verës ku pritet të ketë një fluks emigrantësh. Një tjetër çështje e prekur në këtë debat ka qenë dhe policia e shtetit, për të cilën ministri Nishani ka garantuar se polica e shtetit është tepër transparente dhe çdo tentativë do të ndëshkohet. Numri i punonjësve të policisë së shtetit është i mjaftueshëm për sigurinë e këtyre zgjedhjeve dhe sipas ministrit policia e shtetit sot është krejt transparente.