E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, Kodheli: Ilir Meta po sillet si në vitin 2005

Mimi Kodheli

Tiranë, 31 Janar, 12:47, NOA - Partia Socialiste tha sot se, Ilir Meta s'ka asnjë të drejtë të sillet me interesat e njerëzve e të vendit njësoj si në vitin 2005. Në një konferencë shtypi, zëdhënësja e Kryesisë së PS, Mimi Kodheli tha se, “dje shqiptarët panë dy tabllo qartësisht të dallueshme të raportit mes politikës e qytetarëve. Tablonë e Këshillit Bashkiak të Lushnjës, ku këshilltarët socialistë votuan buxhetin e qytetarëve, pavarësisht se jo të gjitha vërejtjet e tyre u morën parasysh nga Kryebashkiaku që i përket grupit të Ilir Metës, por edhe tablonë e Pallatit të Kongreseve, ku me gjuhën e vjetër të Sali Berishës, Ilir Meta e Monika Kryemadhi fyen e shpifën në mënyrën më shembullore Bashkinë e Tiranës e Kryetarin e saj”.

“Me votën pro buxhetit të qytetit të Lushnjës, ne respektuam kontratën e koalicionit të zgjedhjeve të 18 shkurtit me qytetarët lushnjarë. Ndërsa Ilir Meta e Monika Kryemadhi, për fat të keq, e vunë edhe njëherë dje interesin e oborrit të tyre të vogël mbi vullnetin dhe interesat e mëdha të qytetarëve të Tiranës, duke deformuar realitetin e shifrave të buxhetit e të fakteve të punës së bërë nga Bashkia e Tiranës, me një agresivitet e mungesë vërtetësie aq të madhe, sa me siguri duhet t'i ketë pasur zili edhe Berisha me Olldashin”, tha ajo.

Sipas Kodhelit, “PS vijon t'i bëjë thirrje aleatëve tanë të 18 shkurtit 2007, të mos vazhdojnë ta shkelin kontratën me qytetarët, duke u bërë palë kundër buxhetit të qytetit me ata që kanë 8 vjet që i turren qorrazi Bashkisë së Tiranës dhe duke krijuar me Partinë e Sali Berishës, një shumicë që bie ndesh me vullnetin e zgjedhësve e me interesin e të gjithë Kryeqytetasve. Kur mbeten edhe 148 ditë nga largimi i Berishës, ne mendojmë që Ilir Meta s'ka asnjë të drejtë të sillet me interesat e njerëzve e të vendit njësoj si në vitin 2005”.

“Dhe jemi të bindur se kështu mendon e gjithë ajo shumicë e madhe shqiptarësh, që duan ndryshimin te cilin po e pengojnë përditë e më shume bashkarisht Sali Berisha dhe Ilir Meta”, përfundoi deklaratën Mimi Kodheli.

c.a/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›