E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani: Do verifikoj emrat e ministrave të rinj. Nuk firmos shkarkimin e Llallës dhe Vishës

nishani(E PERDITESUAR)- Presidenti Bujar Nishani tha në emisionin Opinion se dekretimi i qeverisë së majtë Rama do të bëhet brenda ditës së paraqitjes së propozimit nga koalicioni që fitoi zgjedhjet dhe pa humbur kohë.

Kam kërkuar mbledhjen e parlamentit në 9 shtator. Në 7 shtator ishte dita e fundit e parlamentit të ri. Menjëherë pas kësaj date pres që koalicioni fitues të sjellë propozimin dhe me të ardhur propozimi do të kryej dekretimin, nuk do të pres 7 ditë siç ma ofron kushtetuta, komentoi kryetari i shtetit.

Edhe për ministrat nuk do krijoj pengesa artificiale për dekretimin, shtoi Nishani.

Presidenti shtoi se ai do verifikojë emrat e ministrave të rinj.

“Janë institucionet e shtetit shqiptar ato që verifikojnë integritetin, ligjshmërinë e propozimeve që vijnë nga forcat politike, aktualisht nga maxhoranca konkrete”.

Ai u shpreh se akuzat e së majtës që kanë shënjestruar Presidentin nuk kanë ndikuar drejtpërdrejt në punën e tij.

E vetmja vështirësi në raportet e mia me të majtën ishin ato për deklaratat publike, por ato nuk ndikojnë në punën time, tha Nishani.

Duke komentuar çështjen e shumëdebatuar për selinë e re të PD-së, kreu i shtetit tha se e kishte firmosur dekretin për daljen nga plani i shpërndarjes së ushtrisë së godinës, pavarësisht mendimit kundër të Shefit të Shtabit, Xhemal Gjunkshi. Presidenti u mbrojt se ligji ia ka lënë në dorë vetëm atij të vendosë.

Do ta kisha firmosur dekretin për SHQUP-in, edhe po ta kishte kërkuar për seli, PS-ja. Propozimi erdhi nga ministria e Mbrojtjes, tha Nishani.

Ai e konsideroi intrigë lajmin, se toka ku ngrihet selia e PD-së ishte në pronësi të bashkëshortes së tij.

Prona ku është ngritur selia e PD-së nuk është pronë e familjes sime. Unë kam qenë në poste të rëndësishme për shumë vjet dhe nuk kam bërë asnjë përpjekje për të tjetërsuar objektin e kësaj prone, në favorin tim, u mbrojt Presidenti.

I pyetur nëse do të firmoste dekretet për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm apo kryetarit të SHISH-it, me kërkesë të mazhorancës së re të majtë, Nishani shprehet i prerë se nuk të ketë asnjë lloj lëshimi.

Asnjë presion nuk do të gjejë një ambient bashkëpunues tek Presidenti i Republikës, nënvizoi kreu i shtetit.

Ai nuk e shmangu edhe një koment emocional për largimin e udhëheqësit të tij shpirtëror nga kreu i PD-së.

Tërheqja e Berishës, është një e drejtë personale. Mbetet një çështje që do të reflektohet në historinë politikë të Shqipërisë. Jam i bindur se kontributet janë të rëndësishme, për të parë se çfarë ka sjellë, tha Nishani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›