SKANDALI/ Policia shqiptare e mbajti të fshehtë, Interpol tregon njeriun e masakrës së trefishtë në Vlorë
Masakroi tre persona teksa po pushonin buzë detit, ndërsa policia shqiptare as guxoi ti përmendte emrin.
Madje zyrtarisht asnjëherë nuk është thënë se Delin Hajdaraj është autori i masakrës së Ujit të Ftohtë në Vlorë, ku gjetën vdekjen Serdi Bajlozi, Diana Ademi dhe Sokol Isufaj.
I vetmi i akuzuar dhe arrestuar për këtë ngjarje nga policia është Leo Osmëni, ku sipas dëshmive, roli i tij në këtë ngjarje është vetëm nxitës, dhe jo autor i vrasjes.
Qoftë në ditën e ngjarjes, por dhe në ditët në vazhdim, policia kurrë nuk ka përmendur se i dyshuar si autor i kësaj masakre, është Delin Hajdaraj.
Pas ngjarjes, emri i tij nuk u shpall në kërkim e ndoshta për këtë 22- vjeçari ia ka dalë të kalojë i qetë kufijtë e Shqipërisë.
Por një muaj pas kësaj ngjarje është Interpol që publikon foton e 22- vjeçarit Delin Hajdaraj.
Fotoja e 22- vjeçarit është publikuar në faqen ndërkombëtare të personave në kërkim, ndërkohë që kërkimet për të për momentin sipas burimeve të policisë shqiptare janë duke u kryer në Greqi.
22-vjeçari Hajdaraj, dhe pse ishte person me precedentë penalë për ushtrim dhune, shpërndarje dhe përdorimin e drogës, ia ka dalë të largohet nga Shqipëria edhe pas kryerjes së një krimi kaq të rëndë.
Sipas burimeve të besueshme, shpallja në kërkim e Delin Hajdarajt është bërë pesë ditë pas ndodhjes së krimit, ndërkohë që emri i tij si autor i vrasjes së trefishtë është përmendur nga media që ditën kur ndodhi ngjarja.
Masakra ku humbën jetën 3 pushues ndodhi në fund të muajit korrik, në ambientet e resortit privat Kalaja në Vlorë.
Sipas policisë, objektivi i sulmit kanë qenë një grup të rinjsh nga Fieri.
Dalin Hajdaraj dhe Leo Osmëni janë futur në brendësi të plazhit, ndërsa 22- vjeçari ka marrë armën dhe ka qëlluar mbi plazhistët./l.ç