E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Forcimi i ligjit çoi në uljen e trafikut të drogës në Shqipëri

14-04-2012 / Gazeta 55

Takim vjetor për luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike
 
Ministri i Brendshëm shprehu angazhimin e dikasterit të tij në goditjen e grupeve kriminale që merren me aktivitete të kundërligjshme si trafikimi i lëndëve narkotike. Sipas Nishanit, goditja e trafikut nga ana e Shqipërisë dhe Italisë, ka çuar në mënjanimin në rritje të Shqipërisë si vend transit për dërgesat e mëdha të heroinës. Sa i takon luftës kundër trafikut të kokainës, ministri Nishani theksoi se sasitë e kokainës që transportohen nga Shqipëria në vendet e tjera janë pothuajse të papërfillshme. Gjithashtu Nishani i kërkoi Policisë së Shtetit shfrytëzimin e ligjit Antimafia, për konfiskimin e pasurive të krimit
 
“Lufta kundër trafikut të drogës është prioritet i qeverisë shqiptare, ndërsa forcimi i ligjit ka ndikuar në uljen e trafikut të drogës”.
Kështu u shpreh dje ministri i Brendshëm, Bujar Nishani në takimin vjetor për luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, në prani dhe të kreut të Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth. Nishani tha se raporti i fundit i INTERPOL, vëren se ka rënie të madhe të lëndëve narkotike të sekuestruara në Shqipëri si heroina dhe kokaina, ndërsa theksoi se kanabis ende prodhohet qartësisht në shkallë të gjerë në Shqipëri. “Lufta kundër trafikimit të heroinës mbetet një nga prioritetet kryesore të agjencive të zbatimit të ligjit në përgjithësi, dhe të policisë shqiptare në veçanti. Siç theksohet dhe në raportin e fundit të INTERPOLI-it: ‘…ka rënie të madhe të heroinës së sekuestruar në Shqipëri. Ndërsa rastet e sekuestrimit të heroinës e cila tranzitohej nga Shqipëria në Italinë fqinje ka rënë ashtu si dhe rënia e vazhdueshme e numrit të sekuestrimeve gjatë viteve të fundit si rezultat i goditjes së suksesshme të trafikimit që përdorte anije nga Shqipëria për në Itali. Goditja e një transporti të tillë nga ana Shqiptare dhe Italiane ka çuar në një mënjanim në rritje të Shqipërisë si transit për dërgesa të mëdha heroine’. Në lidhje me trafikun e kokainës, siç rezulton nga analizat tona, por edhe të institucioneve ndërkombëtare si SECI sasitë e kokainës që trafikohen nga Shqipëria për në vendet e tjera janë të papërfillshme. Shqipëria mbetet ende një vend i kultivimit të kanabisit si dhe vend nga ku grupet kriminale rajonale e eksportojnë atë në vendet e tjera të rajonit dhe më tej. Por, siç konstatohet dhe nga raportet e agjencive ndërkombëtare ligjzbatuese, dhe më lejoni këtu të përmend përsëri raportin e fundit të INTERPOL-it : ‘...kanabis ende prodhohet qartësisht në shkallë të gjerë në Shqipëri …. dhe autoritetet Shqiptare kanë rritur ndjeshëm nivelin e sekuestrimeve të kanabis në 2010 (7,304.805 kg ‘36’), përsëri falë një përpjekjeje të vazhdueshme të përqendruar të autoriteteve për të goditur trafikuesit e kanabis’. Gjatë vitit 2011, si rezultat i kombinimit të masave parandaluese dhe goditëse, sipërfaqet e kultivuara dhe prodhimi i kanabisit kanë patur një tendence në rënie. Madje, gjatë dy viteve të fundit janë arritur rezultatet më të mira në luftë ndaj këtij fenomeni për këto 5 vitet e fundit, duke e reduktuar kultivimin e bimëve të kultivuara në afërsisht pesë herë, në krahasim me vitin 2007. Ky intensitet vijon dhe për fillim 2012 ku për periudhën Janar deri në ditët e para të muajit Mars të këtij viti janë evidentuar 132 raste të kapjes të marijuanës, ku janë sekuestruar mbi 2 ton e janë proceduar 182 autorë. Gjithashtu, janë kryer 6 operacione ndërkombëtare, në përfundim të të cilëve janë arrestuar në vendin tonë 7 persona për trafik ndërkombëtar droge”, u shpreh Nishani. Sipas tij, krahas përpjekjeve të brendshme, një prioritet mbetet bashkëpunimi midis agjencive ligjzbatuese të vendeve tona dhe ato ndërkombëtare.
“Në përpalljen me trafikun e drogës, krahas përpjekjeve të brendshme, një prioritet mbetet bashkëpunimi midis agjencive ligjzbatuese të vendeve tona dhe ato ndërkombëtare. Vitet e fundit, bashkëpunimi ndërkombëtar është zhvilluar dhe intensifikuar më tej. Konkretisht kemi marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi me vendet e rajonit si me Italinë, Greqinë, Turqinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Policinë e Kosovës, etj, por edhe me vende të tjera si Zvicrën, Gjermaninë, Francën etj. Një ndihmesë në shkëmbimin e informacioneve dhe realizimin e operacioneve të përbashkëta kanë dhënë Interpoli, Qendra SECI, në Bukuresht-Rumani si dhe Oficerët e kontaktit që veprojnë në vendet respektive, ku një numër i konsiderueshëm operacionesh janë finalizuar me sukses. Për të ilustruar progresin e bërë në këtë drejtim mund të përmendim faktin se nëse nga viti 2005 deri në 2009 (për 5 vite) janë kryer 53 operacione ndërkombëtare dhe të përbashkëta me 100 të arrestuar, vetëm gjatë vitit 2010 janë kryer 34 operacione, me 62 persona të arrestuar dhe përgjatë vitit 2011 janë kryer 26 operacione ndërkombëtare me 34 persona të arrestuar, tha ai, duke shtuar se përveç goditjeve intensive të grupeve kriminale të trafikimit të narkotikëve, një rol efektiv në këto rezultate ka pasur edhe funksionimi mjaft i mirë i Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare e cila është e pajisur me një staf të specializuar dhe me pajisjet nga më modernet për të interceptuar, ndjekur e goditur rastet e trafikimit nëpërmjet detit”. Kështu, për vitin 2011 janë dy raste te tilla, ku njëri rast përfundoi me sekuestrimin e 1.5 ton marijuanë dhe mjetit lundrues, ndërsa tjetri çoi ne sekuestrimin e 431 kg marijuanë dhe sekuestrimin e mjetit lundrues”.
Ministri i Brendshëm kërkoi zbatimin e ligjit antimafia ndërsa vlerësoi konfiskimin e pasurive të personave të ndjekur penalisht për trafikun e drogës.
“Forcimi i veprimit të ligjit dhe i bashkëpunimit kombëtar e ndërkombëtar ka ndihmuar në sigurimin më të mirë të kufijve tanë dhe reduktimin e gjithë llojeve të trafikimit. Ka një përmirësim të konsiderueshëm në sigurimin e vijës bregdetare, transportin ajror si dhe të kufirit në përgjithësi. Këtu shfrytëzoj përsëri rastin për të falënderuar Delegacionin e Komisionit Europian dhe Ambasadën e Shteteve të Bashkuara për një seri financimesh të kryera si në infrastrukturë ashtu dhe në rritjen e kapaciteteve të menaxhimit të kufirit dhe hetimit të krimit. (Me financim të Delegacionit të Bashkimit Europian, ka përfunduar ndërtimi i 10 godinave të reja të Pikave të Kalimit Kufitar dhe 17 stacione  të Policisë Kufitare dhe Migracionit, Janë lëvruar 7 (shtatë) mjete lundruese për mbikëqyrjen e hapësirës detare, 4 automjete të siguruara për policinë kufitare nga Ambasada e SHBA, etj). Shfrytëzoj këtë rast për t’i bërë thirrje organit të Policisë dhe jo vetëm, të shfrytëzojë maksimalisht një instrument shumë të fuqishëm, siç është ligji ‘Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave kundër pasurisë’, i njohur gjerësisht si ligji Antimafia. Ky ligj, ju jep mundësi ju, organeve ligjzbatuese, të punoni fuqimisht drejt konfiskimit dhe sekuestrimit të aseteve ekonomike të vëna në rrugë joligjore nga elementë kriminalë të përfshirë në trafikun e drogave dhe jo vetëm. Të dhënat e vitit që lamë pas na bëjnë optimistë, pasi statistikat flasin për referime nga ana e Policisë së Shtetit me iniciativë në Prokurorinë për Krimet e Rënda për 47 raste, nga të cilat janë regjistruar 20. Gjithashtu janë hetuar edhe 35 procedime pasurore nga viti i mëparshëm, 2010”, tha ministri i Brendshëm.
Nishani deklaroi gjithashtu se janë hartuar plane veprimi për luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike.
Sipas tij, faza e parë është sensibilizuese dhe zgjat deri në fund të muajit maj dhe pastaj në fazën e dytë do të aplikohet plani operacional.
 
 
Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth
 
“Lufta kundër drogës, bashkëpunim mes Policisë dhe pushtetit vendor”
 
Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth u shpreh dje në takimin vjetor për luftën ndaj kultivimit të bimëve narkotike se, eliminimi i çdo kultivimi të bimëve narkotike në territorin e Shqipërisë është një çështje me interes kombëtar.
Wollfarth tha se prodhimi dhe konsumimi i narkotikëve të paligjshëm sfidon shtetin e së drejtës, ekonominë, shëndetin publik si çdo të bënin në çdo vend tjetër.
Ambasadori i OSBE vlerësoi angazhimin e Policisë së Shtetit në luftën kundër trafikut të drogës, ndërsa i bëri thirrje pushtetit vendor të bashkëpunojë fort me uniformat blu. “Autoritetet shqiptare bëjnë shumë mirë që e trajtojnë këtë çështje shumë seriozisht dhe shumë profesionalisht. Ne e shohim Policinë e Shtetit shqiptar shumë të angazhuar në këtë luftë. Ndonëse janë bërë përmirësime të ndjeshme, të tjera sfida shtrihen përpara, probleme të rëndësishme ende presin zgjidhje. Lejomëni të përmend si shembull çështjen e hershme të kultivimit të drogës në disa komuna në jug e në veri. Kjo tregon qartë se Policia e Shtetit nuk mund të bëjë gjithçka e vetme për ta zhdukur këtë problem. Mbështetja dhe bashkëpunimi i qeverive vendore është i domosdoshëm dhe vendimtar për gjithë procesin. Shpeshherë mendohet se lufta kundër kultivimit të drogës dhe krimit në përgjithësi është një punë që i takon vetëm policisë. Megjithatë, realiteti është ndryshe. Realiteti na mëson se në një shoqëri demokratike, policia nuk mund të arrijë asgjë pa mbështetjen dhe bashkëpunimin e komunitetit. Kjo është edhe arsyeja pse ne do të dëshironim të shihnim aktorët vendorë të motivuar dhe të përfshirë në mënyrë konstruktive në këtë çështje, shpresojmë kudo. Bashkitë dhe komunat kanë detyrimin ligjor, moral dhe qytetar të bashkohen me Policinë e Shtetit shqiptar në detyrën e saj për të luftuar kultivimin dhe trafikimin e drogës. Për çfarëdolloj krimi, parandalimi dhe frenimi janë më mirë sesa ndjekja dhe dënimi. Edhe një herë, kjo mënyrë të vepruari është e hapur vetëm përmes bashkëpunimit midis gjithë aktorëve kryesorë”, tha ai.
Ambasadori Wollfarth garantoi se Prezenca e OSBE-së në vendin tonë, mbetet shumë e gatshme t’i ofrojë asistencë dhe mbështetje të mëtejshme Policisë së Shtetit shqiptar dhe njësive të qeverisë vendore për të nxitur dhe forcuar luftën kundër kultivimit të paligjshëm të drogave dhe për të ndihmuar duke inkurajuar zhvillimin e strategjive të duhura.
“Ne e bëjmë këtë së bashku me PAMECA-n dhe ICITAP-in. Të luftuarit e kësaj plage është një qëllim i detyrueshëm, sjellja së bashku e policisë dhe komunitetit përmes një bashkëpunimi efikas dhe efiçent është rruga e duhur. Dhe në fund, më lejoni t’ju shpreh të gjithëve urimet më të mira për sukses për këtë çështje sfiduese, në këtë luftë kundër krimit. Arritjet tuaja do të ndihmojnë për të shtruar rrugën drejt një Shqipërie më të qetë e më të sigurt!”, deklaroi më tej kreu i prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›