E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Territori i Kosovës i paprekshëm. Fule: Dialogu me Kosovën, kusht për integrimin e Serbisë

14-04-2012 / Gazeta 55

Pas disa incidenteve të fundit në vend, siç ishte arrestimi i dy policëve kufitar të Kosovës nga xhandarmëria serbe në Mërdar, paralajmërimeve për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe incidenteve të shtuara në veri të Mitrovicës, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka vendosur të thërrasë kabinetin e qeverisë. Thaçi tha se integriteti i Kosovës do të mbrohet me të gjitha mjetet kushtetuese e ligjore.
Ai shtoi se kushdo që pretendon qoftë edhe një centimetër të cenojë integritetin territorial të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës ka mandatin dhe besimin e plotë të përdorë gjithë autoritetin kushtetues dhe ligjor, qoftë edhe përballë xhandarmërisë serbe. Por Thaçi, është takuar dhe me  komandantin e KFOR-it, gjeneralin Erhard Drjus, zëvendësshefin e EULEX-it, Endi Sparks, përfaqësuesin special të BE-së, njëkohësisht shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, si dhe zëvendësambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Majkëll Marfi, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës. Thaçi ka theksuar vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit si dhe shmangien e incidenteve ndëretnike në veri të vendit.
Të gjithë të pranishmit në takim mësohet të kenë dënuar ashpër aktin terrorist, të ndodhur javën e kaluar në Mitrovicë, në të cilin ka humbur jetën qytetari i Kosovës, Selver Haradinaj. Ata kanë rënë dakord për angazhim të koordinuar, me qëllim të vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës.

Stefan Fule
Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fule, ka thënë se normalizimi i mëtejshëm i marrëdhënieve të Beogradit me Prishtinën, mbetet kusht politik për Serbinë që të vazhdojë rrugën e integrimeve evropiane.
I pyetur nga Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë se cilat janë shanset që Serbia, deri në fund të vitit, të marrë datën e negociatave për anëtarësim në BE, duke marrë parasysh problemet në zbatimin e marrëveshjes për prezantimin rajonal të Kosovës, Fule ka thënë se ky proces “mund të zgjasë një muaj, por edhe katër vjet”. Diplomati evropian ka thënë se nuk është ende saktë nëse fusnota për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale duhet të vihet para delegacionit të Prishtinës apo në dokumentet zyrtare të takimit të caktuar.
“Tani, gjatë fushatës zgjedhore në Serbi, ndoshta nuk është momenti i duhur që të flitet për një gjë të tillë, por, menjëherë pas zgjedhjeve, do t’i përkujtoj të dyja palët se për çfarë saktësisht kanë rënë dakord – e jo secila nga ato ta interpretojë marrëveshjen në mënyrën e saj” ka thënë Fule. Prishtina dhe Beogradi, në muajin shkurt, kanë arritur marrëveshjen për bashkëpunimin rajonal në kudaër të dialogut teknik mes tyre.
Sipas marrëveshjes, Kosova, në forumet dhe nismat rajonale, përfaqësohet me fusnotën e cila përmban Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›