Nishani Gerdeci turpi i drejtesise

Nishani deklaroi se Ministria nuk ka asnjë instrument ligjor për ta ndaluar fenomenin, por ka dy plane, njëra prej të cilave është ndryshimi i ligjit për avokatinë dhe e dyta propozimi që shpenzimet gjyqësore t’ja ngarkojë avokatit që shtyn seancën.
“Është absolutisht një shqetësim shumë serioz që nuk ndihmon bërjen e drejtësisë. Ky është një fenomen që po merr masa shqetësuese. Do të ndërhyjmë në dy mënyra qoftë me ligjin e avokatisë, ose perndryshe përmes një akti të veçantë për të ngarkuar financiarisht avokatin që prish rendin e seancës”, është shprehur Nishani.
Numri një i drejtësisë ka përshëndetur dorëheqjen e zëvendëskryeministrit në lidhje me akuzat e ngritura në ditët e fundit dhe u shpreh se ky është hetimi më i rëndësishëm ku politikanët duhet të shohin raportet e tyre me drejtësinë.
“Kemi nevojë të gjithë se bashku që të inkurajojmë sistemin e drejtësisë që të bëjë punë të pastër dhe të paanshme. Ky do të jetë një rast i rëndësishëm për të parë se si do të jenë sjelljet tona në ambjentet politike dhe sjelljet tona në sistemin e drejtësisë”, tha Nishani.
Duke analizuar punën e Ministrisë së Drejtësisë, për vitin 2010, kreu i saj i ka bërë thirrje opozitës të bashkëpunojë për ligje të cilët kanë mbetur pezull, pas mungesës së saj në Parlament.
Nishani nuk e ka cilësuar si një thirrje të ministrit të Drejtësisë, por si një thirrje për të patur një prokurori dhe gjyqësor të pavarur.