Freedom House: “Demokracia në Shqipëri, pjesërisht i lirë”
“Shqipëria është një vend pjesërisht i lirë duke iu referuar treguesve kyçë të demokracisë”. Në raportin e saj për vitin 2010, me titullin “Sfida autoritariste për demokracinë”, Freedom House vë re një rënie të lirisë botërore pas vlerësimit të të drejtave politike dhe lirive civile në të gjithë botën për vitin që lamë pas. Kjo shënon dhe periudhën më të gjatë dhe të vazhdueshme të rënies, gjatë historisë 40-vjeçare të sondazhit të Freedom House. Gjatë 2010-s është vënë re një rënie në numrin e vendeve të lira dhe në numrin e demokracive zgjedhore, si dhe një përkeqësim të përgjithshëm për lirinë në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore. Por ç’do të thotë një vend “pjesërisht i lirë”, ashtu siç është renditur Shqipëria? Freedom House e shpjegon këtë me respektin e kufizuar për të drejtat politike dhe liritë civile. Një vend i etiketuar pjesërisht i lirë vuan nga korrupsioni, zbatimi i dobët i ligjit, nga mosmarrëveshjet etnike dhe fetare. Apo nga një tablo politike, ku një parti e vetme dominon, pavarësisht një farë shkalle pluralizmi.
Në listën e Freedom House, sipas rendit alfabetik, njësoj si Shqipëria janë vlerësuar edhe Venezuela, Pakistani, Haiti, por edhe vende të rajonit si Kosova, Bosnja-Hercegovina, Maqedonia. Kroacia, vendi ballkanik që po i afrohet “finishit” të negociatave me Bashkimin Europian, është cilësuar një vend i lirë dhe po ashtu edhe Serbia.
14 Janar 2011