E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita: Protesta deri në zgjedhjet e parakohshme



TIRANË – Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme dhe duke filluar që nga dita e sotme do të rinisë protestat. Radikalizimi i lëvizjes është lajmëruar dje pas përfundimit të takimit të krerëve të partive të partive opozitare. “Opozita, që nga ky moment, i është drejtuar dhe do t’i drejtohet popullit shqiptar për largimin e menjëhershëm të kësaj qeverie, zgjedhje të reja sa më shpejt të jetë e mundur dhe krijimi i kushteve normale për rifunksionimin e sistemit demokratik në Shqipëri”, - thuhet në deklaratën zyrtare të dalë nga selia rozë. Ky vendim do të diskutohet sot në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Partisë Socialiste, ku do të diskutohet axhenda e re e kësaj force politike. Pas dështimit të ngritjes së komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit 2009, PS-ja ka njoftuar një lëvizje të re, ku në fokus do të jenë denoncimi i aferave dhe rikthimi në sheshe.

Qëndrimi
Partia Socialiste dhe aleatët e saj në opozitë do t’u rikthehen shesheve për të vazhduar protestat. Në axhendën e saj është deklaruar dalja në rrugë derisa të rrëzohet qeveria dhe të bëhen zgjedhjet e parakohshme. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat thuhet se “demokracia ndodhet e rrezikuar totalisht nga një bandë, e cila nuk është më abuzuese, por kriminale. Ne jemi të gatshëm dhe do t’i ofrojmë popullit opozitar, të gjithë shqiptarëve që e duan sistemin, që e konceptojnë jetën e tyre në rrezik, sistemin dhe vetë demokracinë, përpara se ajo të shkatërruar totalisht”, - deklaruan përfaqësuesit e partive opozitare. Sipas tyre, do të fillohet “sa më shpejt të jetë e mundur protesta në Shqipëri, për realizimin e pikave që thashë, largimin e kësaj qeverie, zgjedhje të parakohshme sa më shpejt të jetë e mundur”.

Mbledhja
Vetëm një ditë pas takimit të përfaqësuesve të partive opozitare, PS-ja mbledh sot Asamblenë e Përgjithshme Kombëtare ku do të diskutohet për zhvillimet më të fundit politike në vend dhe organizimi i zgjedhjeve për pushtetin vendor. Në qendër të takimit të strukturës së lartë të PS-së do të jenë lëvizjet që pritet të bëjnë socialistët dhe e gjithë opozita në muajt në vijim pas dështimit të kërkesës së saj për hetimin e zgjedhjeve të parakohshme.

DEKLARATA
“Opozita, që nga ky moment, i është drejtuar dhe do t’i drejtohet popullit shqiptar për largimin e menjëhershëm të kësaj qeverie, zgjedhje të reja sa me shpejt të jetë e mundur dhe krijimi i kushteve të normale për rifunksionimin e sistemit demokratik në Shqipëri”

Berisha: “PD-ja do ta anëtarësojë Shqipërinë në BE”

TIRANË - Kryeministri Berisha u shpreh se shqiptarët kanë vepruar mirë kur i besuan PD-së 20 vite më parë. Kreu i qeverisë, në mitingun e përvjetorit të krijimit të kësaj force politike në Korçë, deklaroi se PD-ja do të jetë lokomotiva që do të drejtojë Shqipërinë në Bashkimin Europian. "Ju duhet të ndjeheni krenarë me veprën tuaj, duhet të ndjeheni krenarë me veprimet tuaja, me mbështetjen që dhatë në reformat tona, në përpjekjet tona. Ne ecim të sigurt drejt integrimit të Shqipërisë në BE. Ne jemi lokomotivë e integrimit të këtij vendi", - tha Berisha. Edhe në këtë takim me simpatizantët nuk mund të mungonin akuzat për socialistët. "Bojkotuan Parlamentin vetëm që ju të mos merrnit vizat. Nisën grevën e turpit të urisë, të quajtur të urisë, paçka se hanin gjithë natën dhe gjithë ditën, vetëm e vetëm që ju të rinit pa viza. Duke menduar këta donkishotër që do mund të godisnin vizat tuaja në kuti, në kuti dhe kudo të jenë, le të mbeten ata. Ne do të ecim", - tha Berisha. Pas një rezymeje të arritjeve të bëra në 6 vite, kryeministri premtoi investime të mëtejshme në infrastrukturë dhe arsim.

14 Janar 2011

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›