E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Jemi të vendosur për të përmbushur standardet evropiane

23-07-2011 / Gazeta 55

Ministri Nishani dhe ambasadori Sequi, përurojnë në Pogradec rikonstruksionin e stacionit të Policisë Kufitare dhe godinës së Pikës së Kalimit Kufitar, Tushemisht

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani së bashku me kryetarin e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, përuruan dje përfundimin e punimeve të rikonstruksionit të stacionit të Policisë Kufitare në Pogradec dhe godinës së Pikës së Kalimit Kufitar Tushemisht, Pogradec. Të dyja këto investime janë pjesë e Programit të BE-së CARDS 2006 “Menaxhimi i Integruar i Kufijve”, me një vlerë prej rreth 5.500.000 euro, në kuadër të të cilit janë ndërtuar 10 Pika të Kalimit Kufitar, si dhe janë rinovuar 17 objekte të Stacioneve të Policisë Kufitare në të gjithë vendin. Ministri Nishani i cilësoi këto investime tregues të një përmirësimi të vazhdueshëm të standardeve që Shqipëria po ofron në shërbim të qytetarëve të saj, e po kështu të qytetarëve të vendeve të rajonit dhe më gjerë. Duke evidentuar faktin se falë mbështetjes së BE dhe punës së institucioneve shqiptare u bë e mundur lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë në zonën “Schengen”, ministri Nishani theksoi se institucionet dhe agjencitë ligj zbatuese shqiptare kanë angazhimin e plotë për të përmbushur standardet europiane për menaxhimin e integruar të kufirit. “Krijimi i këtyre kushteve është një objektiv i mençur dhe një investim i mirë i taksapaguesve Europianë sepse nëpërmjet tyre ne kemi patur rastin për të bërë realitet qëllimin tonë për kufij të hapur, por të sigurt”- u shpreh ministri Nishani.
Në kuadër edhe të angazhimeve të ndërmarra për mbarëvajtjen e sezonit turistik, Ministri Nishani apeloi punonjësit e Policisë së Shtetit për të përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme etikën e komunikimit me qytetarët. “Etika është një nga elementët kryesorë të prezantimit tuaj, të Policisë së Shtetit, të institucioneve shqiptare, të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ndaj së bashku me përgjegjësinë e madhe të detyrës tuaj dhe me këto kushte që përmirësohen çdo ditë e më shumë, lind detyra që etika e komunikimit të bëhet prioritet i prioriteteve në punën e përditshme”- tha ministri Nishani. Nga ana e tij, kryetari i Delegacionit të BE në Tiranë Ettore Sequi theksoi në ceremoni rëndësinë e qëndrueshmërisë dhe përmirësimit të mëtejshëm të standardeve të arritura në çdo pikë të kalimit kufitar dhe në të gjithë kufirin blu e të gjelbër të Shqipërisë. “Menaxhimi i mirë i kufirit garanton lirinë e lëvizjes së qytetarëve e njëherësh përmirëson luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe trafiqeve të tjera të paligjshme. Rritja e vazhdueshme e kapaciteteve profesionale dhe bashkëpunimi ndërinstitucional do të sjellin edhe më shumë efektivitet në menaxhimin e integruar të kufirit”- u shpreh ambasadori Sequi.
Ai vuri në dukje se tashmë Shqipëria po shkon drejt standardizimit të mjediseve të punës për policinë dhe doganat. “Siç e shohim këtu në Tushemisht, infrastruktura për të bërë një punë më të mirë tashmë ekziston. Ato çfarë kanë qenë më parë kontenierë të vjetër e kioska, tani janë mjedise pune moderne evropiane për policinë dhe doganat, që ato të punojnë në përputhje me standardet e hapësirës “Schengen” dhe praktikat më të mira të BE-së” - tha ai. Bashkimi Evropian ka siguruar më shumë se 30 milionë euro ndihmë teknike dhe infrastrukturore për zhvillimin e një sistemi të menaxhimit të integruar dhe modern të kufijve në Shqipëri. Ambasadori Sequi siguroi se BE do të vijojë mbështetjen për të garantuar qëndrueshmërinë e arritjeve të deritanishme në kontrollin kufitar. Në ceremoninë e përurimit mori pjesë edhe ministri i Financave Ridvan Bode, prefekti i Qarkut të Korçës Andrea Mano si dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›