Terror në Norvegji; Autori i sulmit është një ekstremist dhe fundamentalist i krishterë
-- Kryeministri Sali Berisha dënon aktet terroriste. Demokratët mbajnë 1 minutë heshtje në mbledhjen e Këshillit Kombëtarë
Bilanci jo përfundimtar i dy sulmeve të djeshme terroriste në qendër të kryeqytetit Oslo dhe në një ishull të afërt ka arritur tashmë në 91 të vdekur dhe 90 të plagosur nëpër spitale. Derisa nga shpërthimi që ndodhi afër selisë së kryeministrit të Norvegjisë Jens Stoltenberg humbën jetën 7 qytetarë, shumë më i përgjakshëm ishte tmerri që u zhvillua në ishullin Utoya afër Oslos, ku dje ishin mbledhur mbi 700 të rinj të Partisë Punëtore të Norvegjisë. Sipas shënimeve të deritashme të policisë, dje pasdite aty u vranë 84 të rinj të moshës 14-18 vjeçe, ndërsa vrasësi i tmerrshëm ishte një 32 vjeçar norvegjez, “tip i vërtetë nordik”, ekstremist i djathtë, Anders Behring Breivik. Policia beson se këto dy sulme ishin të lidhura mes vete, aq më parë që vrasësi Breivik, dy orë para masakrës në ishullin Utoya ishte parë afër selisë së qeverisë norvegjeze, pra pak para momentit të shpërthimit që mori jetën e shtatë personave dhe dërgoi në spital 90 persona. Kryeministri norvegjez, Jens Stoltenberg ka thënë se në mesin e të vdekurve ka edhe anëtarë të qeverisë. Ai i ka përshkruar sulmet si “tragjedi kombëtare”. Policia ka arrestuar dje në ishull vrasësin 32-vjeçar dhe hetimet do të tregojnë se cili ishte motivi i tij për një tmerr të tillë që Norvegjia nuk e mban mend.
Në internet mbrëmë u paraqit fotoja e masakrës në ishull, në të cilën shihet Breivik (i rrethuar me të verdhë) duke ecur në mesin e trupave të viktimave të veta. Televizioni norvegjez TV2 njoftoi se Breivik u takon “qarqeve djathtiste” në Oslo dhe se në vitin 2008 është regjistruar si anëtar i lozhës lokale masone.
Gazeta suedeze “Expressen” shton se ai ka shkruar nëpër forume të të djathtëve në internet, se veten e përshkruan si nacionalist dhe se është autor i numrit të madh të teksteve kritike ndaj islamit. Në llogarinë e tij në Facebook, që ndërkohë është fshirë, ai e përshkruan veten si të krishterë me qëndrime konservatore, se e do gjahun, lojërat “World of Warcraft” dhe “Modern Warfare 2”, si dhe që jeton në Oslo. Si interesime të tij ka cekur analizat politike dhe atë të bursave. Është prezantuar si drejtor i një firme bujqësore (Breivik Geopharm), që do të thotë se ka pasur kontakt me plehra që mund të përdoren për prodhimin e bombave. Po ashtu ka shkruar se nuk beson në bashkëjetesën e racave dhe kulturave të ndryshme.
Tabloidi norvegjez “Verdes gang” pohon në faqen e tij online se Breiviku gjatë debateve në internet i është kundërvënë ashpër parimit të multikulturalizmit, përkatësisht se nuk beson në bashkëjetesën e tyre brenda një shoqërie. Gjithashtu cekët se ai shpesh ka kritikuar mediet suedeze sepse nuk janë aq sa duhet kritike ndaj islamit.
Mbrëmë vonë, një organizatë islamike e quajtur Ndihmësit e xhihadit global mori përsipër dy atentatet e përgjakshme në Norvegji, mirëpo, është më se e qartë se kjo nuk qëndron dhe se ata janë paraqitur si përgjegjës vetëm për të futur drojë edhe më të madhe në mesin e evropianëve.
Sulmi me bombë dhe masakra në ishull
Numri i të vrarëve me armë dhe bomba në dy sulmet e së premtes në Norvegji, ka lënë të paktën 91 persona të vdekur, ka bërë të ditur policia. Sipas shifrave të fundit, 84 persona u vranë në një kamp rinor vetëm disa orë pasi shtatë persona të tjerë u vranë në një shpërthim në qendër të qytetit Oslo. Zyrtarët policorë thonë se personi i arrestuar, një 32-vjeçar norvegjez, tani është duke bashkëpunuar për hetimet. Policia gjithashtu tha sot se lidhjet në internet në kompjuterin e të arrestuar në shtëpinë e tij, tregojnë se ai është një “fondamentalistë i krishter”.
Kryeministri Sali Berisha dënon aktet terroriste në kryeqytetin norvegjez, Oslo
Organizatorët e këtyre sulmeve të shëmtuara do të marrin përgjigjen e merituar Kreu i qeverisë shqiptare Sali Berisha i bashkohet zërave të komunitetit ndërkombëtar, duke dënuar fuqishëm sulmet e djeshme terroriste në Oslo të Norvegjisë. Berisha shpreh mbështetjen për qeverinë dhe kombin norvegjez në këto momente të vështira. “Sulmet e sotme (dje) terroriste ndaj godinave qeveritare dhe kampusit të të rinjëve në Oslo të Norvegjisë, janë aktet më të fundit të barbarisë ndaj lirisë së kombit Norvegjez dhe vlerave të qytetërimit tonë”- thuhet në mesazhin e kryeministrit Berisha, drejtuar homologut të tij, Jens Stoltenberg. Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këto akte të shëmtuara terroriste, kryeministri Berisha shpreh mbështetjen, simpatinë dhe solidaritetin ndaj Qeverisë së Mbretërisë së Norvegjisë dhe kombit norvegjez, si dhe besimin e palëkundur se autorët dhe organizatorët e këtyre sulmeve të shëmtuara do të marrin përgjigjen e merituar. Një ngjarje e rëndë tronditi dje mbarë Evropën. Kryeqyteti i Norvegjisë, Oslo, u bë pre e një sulmi terrorist me pasojë vdekjen e 7 personave. Sulmi ndodhi pranë disa prej ndërtesave qeveritare, përfshirë edhe selinë e Kryeministrisë. Kryeministri Jens Stoltenberg, nuk ndodhej në zyrën e tij në ato momente. Shpërthimi ka ndodhur jashtë zyrës së kryeministrit Stoltenberg, ndërsa ka prekur Ministrinë e Naftës e cila është përfshirë nga flakët. Korrespondenti i Reuters-it raporton se ka numëruar të paktën tetë persona të plagosur deri tani. Shkaku i shpërthimit është ende i panjohur, por rrënojat e një makine të shkatërruar ndodhen jashtë ndërtesës së kryeministrisë. Dyshime të forta janë për një sulm terrorist, edhe pse asnjë prej organizatave të terrorit global s’ka marrë përgjegjësinë e sulmit të djeshëm.
NATO, BE dhe KE dënojnë sulmin: Akt i urryer, ngjarja ka shokuar mbarë opinionin ndërkombëtar
Organizata politiko-ushtarake NATO-s, Bashkimi Europian dhe Komisioni Europian kanë dënuar ngjarjen e rëndë me shpërthimin e një bombe në Oslo të Norvegjisë. Ka reaguar Presidenti i BE Van Rompuy i cili ka dënuar dhunën e ndodhur në Norvegji. Po ashtu edhe Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, i ka dënuar aktet e dhunës në Norvegji, pas sulmeve me bomba që tronditën ndërtesën e qeverisë anëtare të Aleancës. “Në emër të NATO-s, i dënoj në termat më të ashpër të mundshëm, aktet e dhunës në Norvegji”- tha Rasmussen. “Solidariteti ynë me Norvegjinë mbetet i palëkundur. Vendet e NATO-s qëndrojnë të bashkuara në luftën kundër këtyre akteve”- shtoi ai. Zërave që dënojnë sulmin në Oslo i është bashkuar edhe presidenti i Komisionit Evropian Barroso.
Edhe Rusia dënon sulmet në Norvegji
Presidenti rus Dimitrij Medvedev ka dënuar sot sulmin në Norvegji, duke e cilësuar atë si një akt “monstruoz”. Në mesazhin e presidentit Medvedeve që i është derguar kryeministrit të Norvegjisë, thuhet se “ne i dënojmë këto krime monstruoze, për të cilat nuk mund të ketë justifikim”. Numri i të vrarëve me armë dhe bomba në dy sulmet e së premtes në Norvegji ka lënë të paktën 91 persona të vdekur, ka bërë të ditur policia. Sipas shifrave të fundit, 84 persona u vranë në një kamp rinor vetëm disa orë, pasi shtatë persona të tjerë u vranë në një shpërthim në qendër të qytetit Oslo.
...