E Shtunë, 31 Tetor 2026

Norvegjia, BE-ja dhe kriza e re e identitetit

23-07-2011 / Nga Alexander Gunnar

Një artikull i botuar në revistën javore “Orientering” në maj të vitit 1971 na vendos mbi tryezë debatin e nxehtë që sot kemi në rend të ditës. Revista përshkruan qëndrimet e bujshme të ish-kryeministrit norvegjez Lars Korvald: “Vetëm komunistët dhe SF-ja janë kundër BEE-së (Bashkimit Ekonomik Evropian). Të dyja palët së bashku dëshirojnë të puqen me Pekinin apo Moskën”. Pas qëndrimeve të serta të dyzet viteve të shkuara dhe kur tashmë Norvegjia bën pjesë në BEE, norvegjezët janë ende duke diskutuar për të qenë pjesë e BE-së, si një shtojcë e rëndësishme i BEE-së. Mendoj se është e rëndësishme të sjell një këndvështrim ndryshe në lidhje me qarin dhe qederin e anëtarësimit të Norvegjisë në BE. Nuk do të dëshiroja të flisja për atë çka lidhet me palën norvegjeze, por dua të marr në shqyrtim krizën e sotme të identitetit të BE-së që vjen si pasojë e trysnisë së ushtruar prej erës së ndryshimeve në rrafsh global. Ndërkohë që e gjithë bota po riformësohet dhe ndryshimet e regjimeve po ndodhin anembanë globit, është e vështirë të pretendosh se BE-ja, një regjim i integruar rajonal, do të mbetet e paprekur. Në rrafshin social, dëshira për të ndryshuar në gjirin e vendeve evropiane është mjaft e rëndësishme, por kjo dëshirë duhet të prodhojë edhe rezultate konkrete që kanë të bëjnë me strukturat politike. Për më tepër, vërehet edhe një kundërshti e fortë ndaj ndryshimeve brenda radhëve të vendeve anëtare, e veçanërisht prej disa udhëheqësve evropianë. Nëse vijohet kështu, Evropa do të vetë-izolohet nga pjesa tjetër e botës tek e cila sa vjen e fuqizohet prirja për ndryshim. Falë tregut të përbashkët dhe "Zonës Shengen", Evropa hoqi kufijtë nacionalë brenda Unionit, por ndërkohë forcoi kufijtë e jashtëm. Në zanafillë, fuqizimi i kufijve të jashtëm u duk se ishte gjetje me vend, por ditëve të sotme ka shkaktuar jo pak probleme. Është me mjaft rëndësi të theksohet se zelli i evropianëve për t?u vetë-izoluar po shtohet gjithnjë e më shumë, ndërkohë që rreziqet që vijnë prej kufijve të jashtëm bëhen edhe më të prekshme. Evropa tashmë ndjen nevojën e ngutshme për të mbrojtur tregun e saj të brendshëm, strukturën e saj sociale, marrëdhëniet njerëzore, madje edhe zakonet dhe mënyrën e saj të jetesës; ndërkohë që bota jashtë BE-së po përpiqet të përshtasë mënyrën e saj të jetës. Me fjalë të tjera, Evropa po orvatet të konservojë “Evropianinë” e saj, ndërkohë që pjesa tjetër e botës po përpiqet të krijojë një hendek ndaj emërtesës “tjetri”. Ne po bëhemi gjithnjë e më shumë dëshmitarë të ndryshimeve shoqërore dhe rezistencës së regjimeve ende në fuqi në vende të ndryshme të botës. Kur këto zhvillime përgjaken, njerëzit që i druhen masakrave mbeten në kërkim të një vendi për të ruajtur kokën. Kështu, ata orvaten të mbërrijnë brigjet më të afërta e më të sigurta për jetën e tyre, por edhe kur mbërrijnë, zor të thuhet se gjejnë shpengim shpirtëror, siç është rasti i tunizianëve që emigruan në Itali. Jeta u ishte vënë në rrezik në vendin e tyre, por në vendin ku vunë këmbë me shumë peripeci, ata trajtohen thjesht si “refugjatë të padëshiruar”. Tragjedia njerëzore që ende vazhdon në Afrikën e Veriut sigurisht që nuk është i vetmi problem me të cilin përballet Evropa. Megjithatë, ajo çka po ndodh ne bregun matanë duhet të tërheqë vëmendjen e të tregohet kujdes edhe nga vetë evropianët. Gjithsesi, dëshira e BE-së për t?u izoluar e vështirëson edhe më tepër gjendjen e atyre që kërkojnë të gjejnë strehë e mbrojtje në kontinentin evropian. Ka dy dukuri që janë vënë re gjatë kësaj dyndjeje të re refugjatësh: së pari, lëvizjet social-politike raciste dhe ksenofobe në gjirin e vendeve të Evropës; së dyti, kjo çështje është kthyer në “ndryshesën” më me vlerë të marrëdhënieve ndërmjet vendeve anëtare te BE-së. Ndoshta mund të gjenden mundësitë e ndalimit të refugjatëve përpara se të mbërrijnë në brigjet e gadishullit italian, por ndalimi me çdo kusht e çdo mënyrë i kësaj vale refugjatësh, mund të shkaktojë edhe pasoja të padëshirueshme ekonomike e politike. Megjithatë, nëse u mundësohet të mbërrijnë, të kujdesesh për ta ka kosto ekonomike e politike. Askush nuk dëshiron që kjo kosto të shpërndahet në mënyrë të barabartë, por ja që Italisë nuk i mbetet rrugë tjetër: Nëse Evropa shfaqet e përkorë në trajtimin e kësaj çështjeje si një problem i përbashkët, Roma do ta pasojë topin në portën e BE-së. Siç dihet, Italia ka ofruar leje-qëndrimi për një pjesë të refugjatëve, si një masë kjo që ua mundëson udhëtimin në të gjitha vendet e “Hapësirës Shengen”. Ky qëndrim i Italisë shkaktoi mjaft tensione mes saj dhe Francës, e cila më pas e trajtoi problemin e emigracionit si “përparësi të përparësive” qysh prej pak kohësh. Madje arriti deri atje sa e ndau mendjen të mbyllte kufijtë duke qenë e vetëdijshme se këta emigrantë, shumica e të cilëve frëngjishtfolës, do të synonin më shumë të mbërrinin në Francë se sa të rrinin në Itali. Këto masa të ndërmarra nga francezët nxjerrin në pah mungesën e dëshirës për të vënë në zbatim “Marrëveshjen Shengen” kur bie fjala për çështjen e emigrantëve. Nga ana tjetër, italianët reaguan në çast, duke deklaruar që nëse “çështja trajtohet kështu, përse atëherë të mos shfuqizojmë të gjithë së bashku Marrëveshjen Shengen”? Mosmarrëveshjet dypalëshe gjithsesi gjejnë zgjidhje me kalimin e kohës. Megjithatë, për sa kohë që BE-ja ngre bedena rreth e qark saj dhe nguron t?i përshtatet erës së ndryshimeve që fryjnë jashtë muranës së saj, kriza të tjera do të trokasin në dyert e BE-së. Sakaq, është e vështirë të parashihet se çfarë qëndrimi do të mbajë vetë Norvegjia kur të mbërrijë ai çast.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›