E Diel, 1 Nëntor 2026

Jorida Tabaku i përgjigjet Edi Ramës: Integrimi Evropian i Shqipërisë s’varet nga dëshirat e tua personale

11-06-2011 / Gazeta 55

Partia Demokratike i përgjigjet kërcënimit të Edi Ramës i cili deklaroi përmes një deklarate për shtyp se vendimi i Kolegjit Zgjedhor për Tiranën, përcakton të ardhmen e vendit. Këshilltarja demokrate në këshillin bashkiak të Tiranës, Jorida Tabaku u shpreh se integrimi Evropian i Shqipërisë nuk varet nga dëshirat personale të Edi Ramës dhe as nga kërcënimet apo presionet politike. Sipas Tabakut, Kolegji është shprehur dhe ka legjitimuar punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa lufta politike e Edi Ramës i përket të kaluarës, pasi qytetarët duan të ardhmen e vendit. “Integrimi Europian i Shqipërisë nuk varet nga dëshirat politike të z. Rama. Integrimit Europian të Shqipërisë i shërben ndjekja e procesit ligjor, me qetësi, maturi dhe respekt ndaj ligjit. E ardhmja Europiane e Shqipërisë është e lidhur ngushtë me rrugën e ligjit dhe procesit demokratik, dhe jo me rrugën e kërcënimeve dhe presionit politik. Kolegji Zgjedhor ka folur dhe vendimi i KQZ ka qenë i ligjshëm. Këto çështje janë zgjidhur. Pse vazhdon ende z. Rama të spekulojë për këtë temë? Tentativat e z. Rama për të sabotuar demokracinë shqiptare me kërcënime dhe presione, janë të papërshtatshme. Shqiptarët e dinë se lufta politike e z.Rama i përket të kaluarës, ndërkohë që qytetarët e këtij vendi duan të ardhmen. Komuniteti ndërkombëtar ka mbështetur Kolegjin Zgjedhor dhe i ka kërkuar të marrë vendime bazuar në ligj dhe jo në interesa politike”- u shpreh Tabaku. Ajo deklaroi më tej se dëshpërimi dhe agresiviteti i retorikës së Edi Ramës tentojnë të errësojnë të vërtetën e drejtë të demokracisë. “Ndërkohë, dëshpërimi i z.Rama dhe agresiviteti i retorikës së tij, tentojnë të errësojnë të vërtetën e drejtë të demokracisë”- tha ajo. Por, mbi të gjitha, Edi Rama ka detyrimin moral ndaj çdo qytetari shqiptar, votuesi të majtë apo djathtë, të japë shpjegime se pse nuk dëshironte numërimin e votave. Këtij fakti i mëshoi edhe këshilltarja demokrate në këshillin bashkiak të Tiranës. “Përsëri, ai nuk i është përgjigjur pyetjes që çdo qytetar ka në mendje. Përse nuk dëshironte z.Rama të numërohej çdo votë? Përse nuk dëshironte z.Rama të dëgjohej zëri i çdo qytetari?”- përfundoi deklaratën e saj, Jorida Tabaku.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›