Nishani: Reforma do të synojë krijimin e besimit të qytetarëve ndaj organeve të drejtësisë
Takim i ngrohtë i Presidentit Nishani me bashkatdhetarë që jetojnë në Belgjikë. Kryetari i Shtetit mbështeti miratimin e një ligji për hapjen e dosjeve, kryerjen e përmirësimeve të mëtejshme në Ligjin për Shtetësinë, si dhe kthimin e konkurrimit të vlerave në radhët e gjyqtarëve
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, zoti Bujar Nishani, u gjend të martën pasdite në një bashkëbisedim të ngrohtë me bashkatdhetarë që banojnë në Belgjikë, megjithëse agjenda e vizitave që zhvilloi këto ditë në Bruksel, ishte tepër e ngjeshur. Takimi u zhvillua në mjediset e Universitetit të Lirë Ndërkombëtar të Brukselit (ULNB), fill pas atij që pati me zotin Rasmunsen, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, në selinë e kësaj të fundit.
Rreth orë 17.40, në shoqërinë e Ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut, zotit Ilir Tepelena, i ndjekur prej një eskorte të Sigurimit dhe të Policisë Federale të Shtetit Belg, Presidenti i Republikës së Shqipërisë mbërriti përpara ULNB në Rue Defacqz, 1000 - Bruxelles. Në hyrje, u prit nga Rektori, Prof. Dr. Karim Ouedraogo, nga Dekani i Shkencave të menaxhimit dhe të marrëdhënieve publike. Prof. Ramadan Gjana, dhe nga Prof. Sulejman Gjana.
Në zyrën e Rektorit, u zhvillua një takim i shkurtër mes mikpritësve dhe Presidentit Nishani, i cili shoqërohej prej Ambasadorit Tepelena dhe prej një pjese të delegacionit të ardhur nga Tirana. Ishte i pranishëm, gjithashtu, edhe Burgmestri i Komunës së Skarbekut, ku të shtunën e ardhshme, siç kemi njoftuar, do të zhvillohet një tubim festiv për nder të Njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Burgmestri Clerfayt shoqërohej prej Burim Demirit, një ndër bashkëpunëtorët e tij të afërt.
Gjatë takimit të shkurtër prej afro 15 minutash, Rektori Ouedraogo, bashkë me mirëseardhjen, i shprehu mikut konsideratat e veta për nderin që i bëri Universitetit me vizitën e tij Presidentit të Shqipërisë.
Burgmestri i Skarbekut, njëherësh deputet i Parlamentit Federal të Belgjikës, pati mirësinë të vinte në takim me kërkesën e zotit Nishani, i cili, i ftuar për festimet e së shtunës në Komunën e Skarbekut, nuk do të mund të marrë pjesë, për shkak të udhëtimit për në SHBA. Duke përfituar nga rasti i takimit, zoti Clerfayt i uroi Presidentit të Shqipërisë mirëseardhjen në Kryeqytetin e Belgjikës. Ai shprehu bindjen e vet se bashkësia shqiptare e Brukselit është vlerë për kryeqytetin dhe qytetin më të madh të vendit.
Dekani, Prof. Ramadan Gjana, tha se praninë e Presidentit të Shqipërisë në ULNB ai e konsideron nderim dhe kënaqësi për gjithë personelin shkencor të Universitetit. Kurse Profesor Sulejman Gjana theksoi faktin që mërgata shqiptare e Belgjikës, e vjetër ose e re, politike ose jo, e ka ndier veten të lidhur pazgjidhshmërisht me vendlindjen.
Më pas, 180 shqiptarë me banim në Bruksel, si edhe shumë të ardhur nga qytete të tjera të Mbretërisë, e pritën me duartrokitje të zgjature Presidentin e Shqipërisë në auditorin e madh të konferencave.
Ambasadori Tepelena , duke e marrë fjalën iu pari, tha se prirjet proeuropiane të zotit Nishani i vërteton vizita aktuale me ftesë të autoriteteve më të larta të BE-së e të Aleancës së Atlantikut të Veriut, bash me cilësinë e tij si President i Shqipërisë.
Më së pari në fjalën e vet, zoti Nishani falënderoi nga zemra të pranishmit për pritjen e ngrohtë që po i bënin. Pastaj, duke përgëzuar bashkësinë shqiptare të Belgjikës për imazhin e mirë që gëzon përballë opinionit vendas e më tej, ai tha se ndihej krenar që gjendej mes syresh. Zoti President vuri në dukje se bashkësia shqiptare e Belgjikës është e konsoliduar qoftë nga pikëpamja e integrimit në jetën e këtushme, qoftë për kontributet që i jep pareshtur shtetit belg me punën e saj të ndershme, duke siguruar njëherësh edhe mirëqenien e familjeve shqiptare, të cilat nuk u lënë asgjë mangët atyre vendase. Tashmë, është i njohur kontributi i diasporës shqiptare kudo në botë, lidhur me perceptimin e imazhit të kombit tonë, shtoi ai. Studentët shqiptarë që kanë mbaruar universitete të ndryshme të Belgjikës, të vendeve të BE-së, të SHBA-së e kudo gjetkë, kanë treguar se janë të aftë të konkurrojnë me sukses në të gjitha fushat e shkencës, të artit e të kulturës. Të rinjtë tanë me banim në Belgjikë kanë padyshim pjesën e tyre të meritës në këtë drejtim. Si shembull domethënës, zoti Nishani solli vëllezërit Gjana.
Në vijim, Presidenti i Shqipërisë informoi të pranishmit për takimet që kishte pasur deri atë çast, të cilat i quajti të suksesshme dhe tepër inkurajuese për integrimin e vendit në familjen europiane dhe për marrjen e statusit të kandidatit, tetorin e ardhshëm. Ai u solli pjesëmarrësve në takim perceptimin unanim të autoriteteve të BE-së dhe të NATO-s se shqiptarët sot janë bërë faktor paqeje e stabilizimi në Ballkan. Sipas tyre, për shqiptarët nuk ka rrugë tjetër veç integrimit gjithnjë e më të suksesshëm në Europën e Bashkuar.
Më pas, zoti President e njoftoi auditorin mbi zhvillimet në Shqipëri. Theksin e vuri në stabilitetin ekonomik, në kuadër të krizës së përbotshme. Duke krahasuar borxhin Shqipërisë me atë të vendeve të mbërthyera nga kriza, zoti Nishani tha se dy të tretat e borxhit shqiptar janë borxh i brendshëm dhe vetëm një e treta, i jashtëm, çka garanton rritje të mëtejshme ekonomike. Investimet tona, shtoi ai, janë orientuar kryesisht drejt infrastrukturës. Kjo premton thithjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin e pandërprerë të turizmit. Me këtë rast, përmendi të vërtetën e pamohueshme se sot udhëtimi prej Tirane, drejt Vlorës ose Gjirokastrës, është shkurtuar ndjeshëm. Për të vajtur nga Tirana, në Kukës e anasjelltas, theksoi zoti Nishani, tashmë, çdo shqiptari do t’i mjaftonte vetëm një orë e gjysmë kohë, kurse për të zënë Prishtinën, më pak se tri orë, çka nuk ka të krahasuar me udhëtimet e mundimshme të para dy - tre viteve. Sot, tha ai, ka ardhur koha që të reduktohet edhe diferenca mes perceptimit të kahershëm dhe realitetit, lidhur me vendin tonë.
Në përfundim, Presidenti i Shqipërisë i ftoi të pranishmit të jenë përfaqësues dhe promovues të vlerave më të larta të Kombit tonë, sidomos në kêtë njëqindvjetor të ekzistencës së shtetit amë.
Nga të pranishmit, iu drejtuan zotit Nishani mjaft pyetje me interes. Përmendim disa ndër ato që tërhoqën më shumë vëmendjen e auditorit
E para pyetje ishte lidhur me nevojën e një ministrie ose institucioni të të njëjtit nivel për diasporën, pranë Qeverisë së Shqipërisë, kur sot më shumë se një milion shqiptarë nga të dy shtetet jetojnë në vende të ndryshme të botës dhe kur Republika e Kosovë e ka tashmë Ministrinë e saj të Diasporës. Presidenti shprehu bindjen se ekzistenca e një instituti kësisoj, qoftë në rang ministrie, qoftë jo, do të ishte më se e nevojshme. Madje, kjo ide ka qenë diskutuar edhe përpara. Por, nisur nga politika për ta lehtësuar barrën e taksapaguesve prej një administrate shtetërore të rënduar, u mendua të intensifikohej më tepër veprimtaria e institucioneve ekzistuese, të cilat kanë marrëdhënie me diasporën. Nëse kjo rezulton e pamjaftueshme, tha ai, do të sugjeroj për zgjidhje më efikase.
Zoti Kujtim Lika, i mërgatës së vjetër, ishte i shqetësuar për marrjen e shtetësisë shqiptare të fëmijëve tanë, lindur në emigracion. Presidenti Nishani e quajti me vend shqetësimin e zotit Lika. Ai tha se çështje mund të rregullohej me një ndërhyrje të thjeshtë në ligjin ekzistues, që të shmangeshin pengesat dhe zvarritjet burokratike. Për këtë, Presidenti premtoi se do të bisedojë me sektorin përkatës të Ministrisë së Brendshme dhe drejtpërdrejt me autoritetet qeveritare.
Një pyetje me shumë interes ishte edhe ajo për reformën në drejtësi. Presidenti tha se, duke qenë njëherësh edhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ishte i interesuar drejtpërdrejt për çështjen në fjalë. Madje ai shtoi se për këtë do të punojë me përkushtim gjatë gjithë mandatit të vet presidencial. Reforma, tha ai, duhet të synojë në krijimin e besimit të qytetarëve ndaj organeve të drejtësisë, nga njëra anë, dhe të besimit të vetë gjyqtarëve ndaj promovimit të vlerave të tyre individuale, nga ana tjetër. Sipas tij, për fat të mirë, ka shumë gjyqtarë të niveleve të ndryshme, tê cilët janë të aftë dhe të ndershëm. Këta duhen promovuar. Por, për fat të keq, ka edhe plot të tjerë të cilët pozitën e gjyqtarit e shohin nga këndvështrimi i interesave vetjake, duke shkelur me këmbë drejtësinë. Këta duhet të ndëshkohen pa mëshirê.
Zotin Qazim Lika, edhe ky i mërgatës së vjetër, e shqetësonte mosmiratimi i ligjit për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit, i cili iu kthye Parlamentit të Shqipërisë nga ish-Presidenti Topi. A do të merret ndonjë nismë e re, pyeti zoti Lika, që të mësojmë së paku se cilët qenë ata që çuan prindërit tanë në gjyqet e ashtuquajtura të popullit? Presidenti Nishani iu përgjigj thjesht pyetjes se ai do të nënshkruante çdo nismë të marrë nga Parlamenti i Shqipërisë.
Zonjën Rukie Rama, e mërgatës së re, përveç ligjit për hapjen e dosjeve, e shqetësonte edhe mungesa e shkollave në disa zona të thella të Veriut, veçanërisht në Tropojë. Zoti Nishani ishte i një mendjeje me të se arsimi duhet të shtrihet ngado, edhe në zonat më të thella.
Me gjithë dëshirën e të pranishmëve, biseda me bashkatdhetarët nuk mund të zgjaste më shumë se një orë, për shkak të një takimi tjetër të Zotit Nishani me Ambasadorët vendeve të BE. Duke i falënderuar të gjithë për pritjen e ngrohtë dhe për problemet që ngritën, Presidenti i Shqipërisë i ftoi të pjesëmarrësit që, brenda mundësive, secili të jetë i pranishëm në festimet e Njëqindvjetorit të Pavarësisë, në Vlorë, në Tiranë e kudo që do të mbahen festime, brenda trojeve etnike ose në diasporë.
Vlen të shtoj se takimi kaloi pa asnjë incident. E theksoj këtë, duke gjykuar se kam dëgjuar edhe për raste të pakëndshme, ndonëse të rralla, shkaktuar nga provokatorë të rëndomtë me pyetje a me komente provokuese. Rregulli u sigurua falë kujdesit të organizatorëve, por, sipas meje, edhe falë emancipimit politik të shqiptarëve përballë një kryetari shteti, i cili simbolizon unitetin e popullit dhe ligjin themeltar, kushtetutën e vendit.