Volfarth: Bashkëpunoni për votimin e ligjeve të integrimit

Ambasadori i OSBE ka folur gjatë takimit me të rinjtë edhe për çështjen e Fierit
Ambasadori i OSBE-së Eugen Vollfarth i ka bërë thirrje politikës shqiptare, që të bashkëpunojnë për votimin e tre ligjeve të rëndësishme që kërkojnë shumicë të cilësuar në parlament. Ambasadori i Vollfarth ka kërkuar një zgjidhje sa më të shpejtë të çështjes së qarkut të Fierit. Nga qytetit i Durrësit, ambasadori Vollfarth gjithashtu ka kërkuar nga palët bashkëpunim për miratimin e tre ligjeve që janë kusht për marrjen e statusit të BE-së nga Shqipëria. “Do të ishte mirë të vijohej me procesin e reformave dhe vendimet të merreshin në Parlament. Këto ligje jo vetëm duhet të votohen por duhet të realizohen. Një shembull i mirë i realizimit të tyre do të ishte edhe një proces i mirë zgjedhor. Ndërsa rasti i Fierit është një çështje e rëndësishme që po shikohet dhe unë shpresoj që të gjendet një zgjidhje të shpejtë” theksoi Vollfarth. Kjo thirrje vjen pak ditë para diskutimeve për marrjen e statusit të vendit kandidat nga vendi ynë, në rrugën e anëtarësimit për në familjen e madhe evropiane. Për herë të parë ambasadori i OSBE, Vollfarth foli dhe për çështjen e qarkut të Fierit, duke e cilësuar si një çështje shumë të rëndësishme për politik- bërësist shqiptarë. “Këto reforma duhen bërë kohën e duhur. Ka sinjale pozitive por duhet vazhduar drejt bashkëpunimit. Këto tre ligje janë zhvillime kyç për vendin”, deklaroi Vollfarth. Deklaratat e Ambasadorit të OSBE-së në vendin tonë Eugen Vollfarth, u bënë gjatë një takimi që pati me 50 të rinj të qytetit të Durrësit, të cilët ishin pjesë e një projekti gjerman, mbi punët vullnetare në komunitet.