Nishani, Wollfarth: “Kod Etike për fushatën zgjedhore të vitit 2013”
Presidenti Nishani takon ambasadorin e OSBE, Wollfarth
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti dje një takim Kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadorin Eugen Wollfarth, me kërkesë të këtij të fundit.
Gjatë takimit u bisedua në lidhje me përgatitjen e një kodi etike, i cili do t’i shërbente shmangies së një gjuhe të papërshtatshme gjatë zhvillimit të fushatës për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2013.
Ambasadori Wollfarth e ftoi Presidentin Nishani të marrë pjesë në Ditën e OSBE-së, ftesë të cilën Presidenti i Republikës e priti me kënaqësi. Ndërkaq, Presidenti Nishani pritet të nisë javën e ardhshme takimet konsultative me partitë politike, për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. “Në zbatim të detyrimit kushtetues për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë, Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka ftuar në takime përfaqësuesit e partive politike parlamentare, për të biseduar dhe për t’u konsultuar për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”, ka njoftuar dy ditë më parë Presidenca.