E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nishani Zgjedhjet e lira test per demokracine shqiptare

Shqipëria do të përshpejtojë procesin e reformave për të përmbushur plotësisht kriteret e kërkuara nga Bashkimi Evropian. Kjo ishte garancia e kreut të shtetit dhënë ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së të akredituar në Tiranë. 
Kështu, gjatë takimit të zhvilluar ditën e sotme Presidenti Nishani u përcolli diplomatëve mirënjohjen dhe vlerësimin e tij të gjitha institucioneve të Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare për partneritetin dhe ndihmën që i kanë ofruar Shqipërisë.
 “Është detyra jonë që të miratojmë në Parlament tre ligjet e kërkuara nga Komisioni Evropian si kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian” theksoi Presidenti, duke inkurajuar partitë politike që të gjejnë gjuhën e përbashkët në plotësimin e këtyre kërkesave.
Gjithashtu, Presidenti Nishani shpalosi vizionin e tij për reformimin e drejtësisë bazuar në rritjen e besueshmërisë në sistemin gjyqësor, nëpërmjet zbatimit të procedurave transparente bazuar në meritë për vlerësimin dhe promovimin në karrierë të gjyqtarëve. 
Ndërkohë, referuar procesit zgjedhor, kreu i shtetit vlerësoi zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të pranuara nga të gjitha palët si një test për maturinë dhe funksionimin normal të demokracisë shqiptare dhe duke nënvizuar se pjekuria dhe përvoja e grumbulluar kanë shërbyer në krijimin e një infrastrukture ligjore dhe teknike efikase për zhvillimin e një procesi zgjedhor të standardeve evropiane, vuri në dukje se sfida e këtyre zgjedhjeve mbetet sjellja e përgjegjshme e faktorëve politikë para dhe pas zgjedhjeve.
Ambasadori i Bashkimit Evropian dhe Ambasadorë shprehën ndjeshmërinë e tyre për forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të standardeve evropiane, respektimin e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve dhe inkurajuan Shqipërinë të vazhdojë të njëjtën politikë të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, e cila i shërben stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›