E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani e Basha urojnë Ramazanin. RTV Ora News, emision për besimtarët myslimanë

Sot të gjithë besimtarët muslimanë kanë nisur muajin e shenjtë të Ramazanit. Presidenti Nishani ka uruar sot të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë me rastin e fillimit të Muajit të Shenjtë të Ramazanit.

Në një mesazh drejtuar besimtarëve, kreu i shtetit thekson se Ramazani është një akt i lartë religjioz dhe human me përmasa kolosale.

Ju përshëndes me shumë dashuri dhe respekt sot në ditën e parë të Ramazanit. Ramazani ndërthur shenjtërisht sakrificën materiale me lartësimin shpirtëror. Duke qenë gjithëpërfshirës dhe universal, efektet dhe dobitë e Ramazanit, paqja, purifikimi, lartësimi, mbarëvajtja, janë të shkrira brenda Tij në një mënyrë harmonike të përsosur brenda një diapazoni mahnitës, që përfshin gjithçka njerëzore, nga aspekti shpirtëror në atë utilitar, nga secili besimtar veç e veç, tek i gjithë komuniteti bashkarisht thekson Kreu I shtetit.

Sipas tij, Ramazani përcjell një sërë mesazhesh për njerëzit prandaj dhe ai prej shekujsh zbatohet dhe nderohet me aq devocion dhe përpikmëri nga Ju dhe besimtarët myslimanë të mbarë botës.

Mesazhet që përcjell riti i Ramazanit janë nga më madhështoret.Kthimi i vështrimit nga vetja.Uria dhe etja, dhe në përgjithësi vuajtjet materiale, janë vuajtje provizore që shpërblehen.Vazhdimi i ekzistencës bëhet vetëm përmes mbajtjes gjallë të shpresës,e cila, nga ana e vet, ushqehet nga dhimbjet e sakrificës.Ndjenja e mëshirës dhe dashurisë për të gjithë njerëzit njëlloj.Largimi i brengave.Harrimi i kujtimeve të hidhura. Ramazan të lehtë të gjithëve është shprehur Presidenti.

Basha uron besimtarët myslimanë: Agjërim të lehtë dhe të pranuar

Edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha u ka uruar agjërim të lehtë dhe të pranuar, të gjithë besimtarëve myslimanë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë.

Në urimin e tij drejtuar besimtarëve myslimanë, kryebashkiaku Basha thekson se muaji i shenjtë i Ramazanit duhet të shërbejë për forcimin e dashurisë mes njerëzve.

Të dashur besimtarë myslimanë, ju uroj në këtë muaj të shenjtë, agjërim të lehtë dhe të pranuar, lumturi paqe dhe harmoni në çdo familje shqiptare! Uroj që sakrifica fisnike dhe hyjnore e këtij muaji, të shndërrohet në dritë dhe mbarësi për të gjithë agjëruesit, familjet dhe vendin tonë! Ramazani është muaji që kultivon paqen, mirëkuptimin e respektin, ndaj uroj që ky muaj i shenjtë i Ramazanit, të shërbejë për rritjen dhe forcimin e solidaritetit e të dashurisë ndërmjet njerëzve!” thekson Basha.

Ramazani, RTV”Ora News”, emision për besimtarët muslimanë

Ashtu siç do vit RTV Ora News në bashkëpunim me komunitetin musliman gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit do të sjellë një emision për të gjithë besimtarët muslimanë.

Emisioni i cili do të drejtohet nga Armando Bora do të transmetohet Live në RTV Ora News, 1 herë në 3 ditë dhe do të trajtojë një larmi çështjesh fetare dhe sociale.

Muaji i shenjtë i Ramazanit vjen çdo vit dhjetë ditë më herët dhe qështë muaji i nëntë i kalendarit islamik. Agjërimi gjatë muajit të Ramazanit është një nga detyrimet fetare të myslimanëve të përcaktuara në Kuran.

Përgjatë këtij muaji myslimatë përveç riteve fetare, përcjellin mesazhe paqe dhe lumturie mes njëri- tjetrit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›