Vlorë, aksion për prishjen e ndërtimeve pa leje në bregdet
Një aksion i gjerë është ndërmarrë sot në Vlorë për të prishur ndërtimet pa leje në zonën e bregdetit.
Aksioni është ndërmarrë nga Bashkia e Vlorës në bashkëpunim edhe me Policinë e Shtetit, Inspektoriatin e Ndërtimit dhe Policinë Bashkiake.
Sipas informacioneve më të fundit gjatë këtij aksioni do të prishen 130 ndërtime pa leje në zonën e Jonufrit në Vlorë.
Prishjen e të gjitha ndërtimeve në bregdet e paralajmëroi dy ditë më parë edhe kryeministri i ardhshëm i vendit Edi Rama. Në një takim të zhvilluar ditën e djelë në Vlorë me të zgjedhurit vendor, Rama ka theksuar se do t`i jepet fund ndërtimeve pa leje, në bregdetin e Vlorës.
Në vijën bregdetare të Shqipërisë do të bëjmë çka bëmë me Lanën në Tiranë! Pas katër vjetësh, ndërtimi pa leje në breg do të jetë një ëndërr e keqe.Mesazhi është i qartë. Kush ndërton pa leje apo në shkelje të lejes në bregdet, duhet të ndalet, sepse pa asnjë dyshim po i çon paratë në det., ka paralajmëruar dy ditë më parë kryeministri i ardhshëm i vendit, të gjithë ata, që kanë guxuar të ndërtojnë apo planifikojnë të ndërtojnë gjatë vijës bregdetare.