Nishani firmos: SHQUP-i, seli e PD-së. Rama: Grabitje e pronave të ushtrisë
Tiranë- Burime të “Top Channel” nga Ministria e Mbrojtjes pohuan se Presidenti Republikës, në kapacitetet edhe të komandantit të përgjithshëm të forcave të armatosura ka firmosur dekretin për nxjerrjen jashtë invetarit të ushtrisë të godinës së SHQUP-it.
Ky dekret ka mbërritur në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes pasditen e të enjtes. Sikurse edhe vendimi Këshillit të Ministrave për kalimin e SHQUP-it, në godinë të PD-s, që nuk u bë asnjëherë publik në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave edhe dekreteti i presidentit, deri këto momente ka pësuar të njëjtin fat.
Zyra e shtypit e Presidencës, kontaktuar nga Top-Channel për të pasur version zyrtar dhe detajet e dekretit, të vetmen përgjigje që dha ishte keni telefonuar jashtë orarit zyrtar.
Lëshimi i këtij dekreti nga Presidenti Republikës, Bujar Nishani e përfshinë atë në një shkelje të pastër të ligjit.
Ja se çfarë thotë ligji 8671 datë 26.10.200, i ndryshuar me ligjin 9194 datë 19.2.2004 kreu dy pika 3: Komandanti përgjithshëm i forcave të armatosura, Miraton planin e vendosjes dhe perhapjes se Forcave të Armatosura në kohë paqeje.
Por, përpara se presidenti Nishani ta ndërmarrë këtë hap ai duhet të ketë mbi tavolinë shkresën me firmën e shefit të shtabit të përgjithshëm, i cili bën kërkesën për çdo tjetërsim të pronave të ushtrisë.
Mimi Kodheli, ministre e ardhshme e Mbrojtjes deklaroi se gjatë një bisede telefonike me shefin e shtabit të përgjithshëm, gjeneral Gjunkshin, ai ka pohuar se nuk ka firmosuar asnjë shkresë për nxjerrjen jashtë inventarit të pronave të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërtesën e SHQUP-it.
Ky qëndrim i gjeneralit përforcohet edhe nga shkresa që ai ka dërguar sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, përmes të cilës ai kundërshon kalimin e SHQUP-it për tu përdorur si seli e PD-së.
Pavarësisht vendimit të Këshllit të Ministrave, firmave të Arben Imamit dhe Presidenit Nishani, mjafton firma e munguar e shefit të shtabit të përgjithshëm që i gjithë ky operacion me SHQUP-in të jetë i paligjshëm.
Rama: PD-ja po grabit ushtrinë, po ikën duke ngrënë turpin e të marrit
Pak minuat pas vendimit të Nishanit reagoi kryeministri i zgjedhur, Edi Rama, i cili përmes rrjeteve sociale shprehet se Partia Demokartike është duke grabitur pronat e ushtrisë.
C’turp: Partia humbëse që ende qeveris një vend të NATO-s, grabit Shtëpine Qëndrore të Ushtrise për ta bërë seli të vetën! Dhe kundër ligjit! Çdo ditë e qeverisë pas zgjedhjeve tregon sa të merituara kanë qenë 1 milionë shuplakat që i dha populli më 23 qershor pushtetit plaçkitës! 8 vjet duke gënjyer, vjedhur, vrarë, u ndëshkuan si askush më keq prej ’92-shit e po ikin duke e ngrëne përditë turpin me babezinë e të marrit!- shkruan Rama në Twitter.
Gjunkshi refuzon qeverinë: SHQUP-i pronë e ushtrisë
Intesifikohen përpjekjet nga ana e qeverisë shqiptare në detyrë, për tia kaluar me çdo kusht godinën e SHQUP-it, Partisë Demokratike.
Por, kjo tentativë ka hasur në kundërshtimin e hapur të shefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, gjeneral Gjunkshit.
Ndërkohë, bie në sy se e gjithë korresponednca, që përfshin Ministrinë e Brendshme, Ministrin e Mbrojtjes, vartësit e Imamit në drejtim të Shtëpisë Qëndrore të Ushtrisë dhe ato më Gjeneral Gjunkshin janë bërë në vetëm dy ditë, 13 dhe 14 Gusht, një tregues nxitimi për të mbyllur këtë çështje përpara se qeveria e re të marrë detyrën.
Top-Channel, nga burime brenda Ministrisë së Mbrojtjes ka siguruar në mënyrë ekskluzive këtë korrespondencë, prej të cilës del në dritë një fakt i ri dhe i panjohur deri më tani.
Përfshirja në këtë histori e Ministrisë së Brendshme, drejtuar nga Flamur Noka, njëkohësisht sekretar organizativ i PD. Me anë të shkresës së protokolluar me Nr 7374 datë 13.08.2013 në Ministrinë e Mbrojtjes kërkohet kalimi në përgjegjegjësi administrimi tek Ministria e Brendshme i pronës nr 32 me emërtim Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë me vendodhje Bulevardi Zhan Dark Tiranë, thuhet në fillim të shkresës dërguar Gjeneral Gjunkshit.
Paragrafi i tretë i kësaj shkrese zbulon një detaj tjetër, kur citohet shkresa me numër 7375/2, datë 13 Gusht 2013, dërguar Ministrisë së Mbrojtjes nga QKMBM ku thuhet: Kjo godinë shumë shpejt nuk do të përdoret nga ana e tyre pasi është në përfundim e sipër godina e re e ndërtuar posaçërisht për zhvillimin e aktiviteve të saj. Kjo godinë është ndërtuar me qëllim plotësimin e misionit të QKMBM me të gjitha kriteret e standartet teknike, çka nuk i ofron godina ku zhvillojnë aktivitetin aktualisht.
Në përgjigje të kësaj shkrese vjen ajo e datës 14 Gusht 2013 nga Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë me këtë përmbajtje: Plani i ri organizativ është parashikuar që, aktiviteti i saj, për shkak të bilancit negativ dhe në kuadër të reduktimit të aktiviteteve, të zhvendosë aktivitetin pranë Hotelit të Ushtarakëve, me qëllim rritjen e efikasitetit të veprimtarisë së saj dhe uljen e shpenzimeve financiare.
Për sa më sipër, sekretari përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes kërkon prononcimin e gjeneral Gjunkshit, për nxjerrjen e kësaj prone nga plani përhapjes dhe vendosjes së Forcave të Armatosura dhe vijimin e procedurës ligjore, për këtë qëllim pasi pa miratimin e shefit te shtabit, prona nuk mund te tjetërsohet.
Por, po në të njëjtën ditë, pra datë 14 Gusht 2013, gjeneral Gjunkshi i përgjigjet sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe jep vlerësimin e tij në lidhje me këtë pronë të ushtrisë. Një vlerësim që me pak fjalë rrëzon kërkesën e Imamit dhe Nokës.
Fillimisht, gjenerali nënvizon faktin se plani përhapjes me terminologjinë e NATO-s është një ndër elementët kushtetues të Forcave të Armatosura dhe se rishikimi këtij plani bëhet në kuadër periodik të dokumenteve të strategjik kryer, vitin e kaluar.
Në dokumentin e rishikimit strategjik të mbrojtjes, të miratuar nga Këshilli Ministrave me vendim nr 269 dt 03.04.2013 është vlerësuar ekskluzivisht që kjo qendër të mbahet si një ndër tre asestet themelore të burimeve të mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë.
Gjeneral Gjunkshi, në shkresë jep detaje që vërtetojnë se SHQUP-I është një qendër funksionale kur ai përmend së në të zhvillohen aktivitete të nivelit të lartë të NATO-s, takime konsultative, konferenca planëzimi apo pritje delegacionesh pasi infrastruktura e ngritur lejon zhvillimin e tyre, madje nënvizon Gjunkshi, me cilësi të lartë.
Përballë të gjithë kësaj situate, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë mbërrin në këtë përfundim: Vlerësimi ynë është që, për vetë pozicionin dhe infrastrukturën kjo qendër ka shërbyer dhe gjykojmë se duhet të vazhdojë të shërbejë dhe në të ardhmen si institucion prestigjoz për aktivitetet/ceremonitë protokollare, jo vetëm të Forcave të Armatosura, por edhe shtetit shqiptar. Në përmbledhje të vlerësimeve të bëra për këtë pronë, prononcohemi se nuk jemi dakord për tjetërsimin e saj dhe nxjerrjen nga lista e Planit të vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Ky qëndrim i gjeneral Gjunkshit e fut në një kurs të pastër përplasje dhe të paprecedent në 23 vitet e fundit, ushtrinë shqiptare me qeverinë e kryeministrit Berisha, e cila me një vendim të mbajtur të fshehtë kërkon tjetërsimin e kësaj prone të ushtrisë dhe kalimin në seli të opozitës së re shqiptare