E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia e miliarderëve i kthehet alternativës së gogolit të bukës

18-09-2011 / Redaksionale

Gjezdisën për dy vjet nëpër rrugët e Shqipërisë për t’u mbushur mendjen njerëzve që s’i kishin votuar, që pushteti i takonte atyre. Kur kjo nuk u realizua, u qetësuan. Kësisoj PS-ja u rikthye të bëjë detyrën e përcaktuar nga sovrani si  organizatë politike, sot opozitare, duke propozuar një nismë për lehtësimin e barrës fiskale në Parlament. Është hera e parë pas dy vitesh përpjekje për të delegjitimuar kuvendin, që socialistët punojnë si opozitë ndaj qeverisë Berisha. Është hera e parë pas dy vitesh tentativë për të përdhosur maxhorancën që PS-ja nëpërmjet deputetes Kodheli i sugjeron heqjen e TVSH-së për disa nga produktet e konsumit të përditshëm  dhe ilaçet. Pak çudi për një opozitë që është parë të bëjë bojkot, të shkojë në protesta, të mbyllet në çadra me greva urie e demonstrata të dhunshme. Të habit fakti që janë harruar të gjitha motivet e kauzave idiote, të hapen kutitë, të largohet Berisha, të çlirohet ekonomia, të jepen vizat, etj.
Gjithsesi duke ftuar përfaqësuesit e qeverisë të ulen dhe të shqyrtojnë nismën për të çliruar qytetarët nga barra fiskale, Kodheli u shpreh se pikërisht këto janë disa nga premtimet për të cilat Partia Socialiste është votuar në zgjedhje. Mirëpo kësaj ftese znj. Kodheli i bashkëngjiti një arnë propagande “kemi fituar zgjedhjet edhe për këto premtime dhe do të luftojmë në Parlament që ky çlirim të ndodhë jo kur të vijmë ne në qeverisje, por të ndodhë që sot”. Është kundërthënie logjike të ftosh qeverinë dhe shumicën të shqyrtojnë nismën tendë dhe më pas t’i thuash se unë (PS-ja) kam fituar zgjedhjet. Me pak deputetë në parlament, me 142 vota më pak se koalicioni qeverisës si mund të quhet fitore? Një mister i arsyes. Nëse do të kishte fituar zgjedhjet PS-ja nuk do të ftonte shumicën Parlamentare të shqyrtonte nismën, por do ta miratonte me forcën e kartonëve.
Megjithatë nisma e PS-së për heqjen e TVSH-së në pamje të parë të duket e arsyeshme për të diskutuar mbi të (sa ndikon TVSh-ja?), por është e papranueshme që deputetët miliarderë të PS-së të flasin në emër të shtresës në nevojë. Është një kundërthënie morale, që e zbeh kauzën qysh në fillim. Demagogjia me ilaçet e shtrenjta është normale të përdoret për të fituar kapital politik nga ana e opozitës, sepse edhe pse sëmuremi gjithmonë e më pak, prapë të shtrenjta na duken ilaçet që janë të domosdoshme kur je në moshën e tretë. Mirëpo për këtë moshë PS-ja nuk ka pasur kurrë një politikë favorizuese, përkundrazi ka argumentuar kundër edhe rritjen e pensioneve që qeveria Berisha ka realizuar përgjatë dy mandateve. Prandaj kur të flitet për lehtësira fiskale për shtresat në nevojë duhet të shikohen gjërat me themel, ngase konferenca për shtyp ngel një konferencë e zakonshme për shtyp, që shërben për të plotësuar grafikun e propagandës shterpë kur jo nuk kap kompleksitetin e sistemit ekonomik dhe faktin e luhatjeve të tregut, që duhet të jetë i lirë nga ndërhyrjet brutale të qeverive. Një e majtë që përqafon uljen ose heqjen e taksave është paradoksale.
Sidoqoftë paqartësia e nismës së parë është e kuptueshme pas konvaleshencës pothuajse dy vjeçare të opozitës socialiste. Kursantët e rinj të shkollës së partisë janë në mësimet e parë të dogmës Edvin Rama. Shumë herë do të gjenden në kundërthënie me veten dhe miqtë ndërkombëtarë, pasi është e paevitueshme të kundërshtosh veten kur punon me një të dyzuar si lideri i opozitës. Karakteri bipolar i Ramës do ta gjymtojë opozitën në mision e saj fisnik të prodhimit të alternativës sepse radikali brenda tij nuk do të vonojë të ngrejë kokë. Kreu të opozitës Edi Rama i duhet shumë punë dhe vite që të rritet dhe piqet për të qenë i besueshëm për shumicën e qytetarëve të këtij vendit, si dhe për partnerët ndërkombëtarë, që shikojnë tek luhatjet e tij humorale një paradhomë destabiliteti.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›